Botë
Sulme të reja ruse në Ukrainë, Zelenski: Sulmet dëmtojnë negociatat për paqe
29.01.2026 13:54
Viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale janë raportuar pas sulmeve intensive ruse në disa qytete të Ukrainës....

Viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale janë raportuar pas sulmeve intensive ruse në disa qytete të Ukrainës. Në qytetin Vilniansk, në rajonin e Zaporizhias, është goditur një ndërtesë banimi, ku disa civilë kanë humbur jetën. Në Odesa, sulmet kanë shkatërruar struktura industriale, ndërsa goditje janë raportuar edhe në Kiev dhe rrethinë, si dhe në rajone të tjera të vendit, përfshirë Dnipropetrovskun dhe Harkivin. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e shpëtimit, njoftojnë autoritetet e Ukrainës.
"Si mund të ndihem kur shtëpia ime është shkatërruar? Shikojeni vetë. Jam thjesht i shokuar. E kalova gjithë jetën time duke e ndërtuar atë, dhe ja çfarë ndodhi. Bënte shumë zhurmë. Vrapuam me nxitim të dilnim nga shtëpia, të cilën e përfshiu zjarri. Gjyshi im Kolia u vra dhe matanë rrugës dy gra të reja u vranë gjithashtu.", - tha banori i Vilnianskut, Serhi.
Zelenski paralajmëroi për sulme të reja masive që dëmtojnë procesin e negociatave dhe u bëri thirrje partnerëve të ushtrojnë presion mbi Putinin për t'i dhënë fund luftës.
"Përgatitjet e Rusisë për sulme të reja dëmtojnë besimin në diplomaci dhe të gjithë ata që mbrojnë paqen duhet të kontribuojnë në ndalimin e sulmeve dhe përfundimin e luftës, sepse bota ka fuqinë ta arrijë këtë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Përpara bisedimeve në Abu Dhabi, sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio, bëri të ditur se negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë të përballen me pengesa serioze. Ai theksoi se vëmendja është përqendruar te garancitë e sigurisë për Ukrainën, ku Shtetet e Bashkuara pritet të kenë një rol mbështetës, përfshirë edhe në koordinim me aleatët evropianë.
“Çështja e Donetskut mbetet një pengesë kryesore për paqen. Akoma ekziston një hendek mes të dyja palëve. Aktualisht flitet për garancitë e sigurisë; kjo është diçka për të cilën ekziston konsensus i përgjithshëm kur bëhet fjalë për Ukrainën. Është e qartë se garancia e vetme e sigurisë që po rishikohet përfshin vendosjen e trupave evropiane në terren, me mbështetje të fuqishme të ShBA-së.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ai njoftoi gjithashtu mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, ndërsa Kremlini bëri të ditur se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski, ndërsa Ukraina kërkon garanci sigurie për një takim të tillë.
FARIJE DAUTI BAKIU
