Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, 418 gjykatës votojnë për anëtarin e ri të Këshillit
29.01.2026 14:14
418 gjyqtarë patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe të votojnë njërin nga gjashtë kandidatët për anëtarë të rinj në Këshillin Gjyqësor....

418 gjyqtarë nga të gjitha gjykatat e vendit patën mundësinë që nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 15:00 të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe në zgjedhje të drejtpërdrejta të votojnë njërin nga gjashtë kandidatët për anëtarë të rinj në Këshillin Gjyqësor. Gjykatësi që do të zgjidhet do t’i përkasë komunitetit që përbën më shumë se 20% të popullsisë. Në listën e kandidatëve janë: Afrim Jakupi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Gostivar; Sadulla Jaziri, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Tetovë; Ylber Hasani, gjyqtar në Gjykatën Themelore Civile në Shkup; Hasan Asani, gjyqtar/kryetar i Gjykatës Themelore në Tetovë; Xhemali Saiti, gjyqtar në Gjykatën Supreme; Shpresa Grainca Osmani, gjyqtare në Gjykatën Themelore Penale në Shkup. Pas numërimit të votave, në seancë publike do të shpallet emri i gjykatësit që do të zë vendin e anëtarit të deritanishëm nga Gjykata e Apelit në Gostivar, Hanif Zendeli.
Si kryetar i Komisionit për zbatimin e zgjedhjes, Këshilli Gjyqësor e zgjodhi gjyqtarin Osman Shabani nga Gjykata e Apelit në Shkup, ndërsa për zëvendës të tij, gjyqtarin Ilija Tërpkov nga Gjykata Themelore Penale Shkup. Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve tetë zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe dy anëtarë propozohen nga Presidenti i shtetit. Anëtarë pa të drejtë vote janë edhe Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Ministri i Drejtësisë. Mandati i anëtarëve zgjat gjashtë vjet, me të drejtë edhe për një rizgjedhje.
FLORIJE KAMBERI
