Maqedoni
Debat, iniciativat e BE-së për migracion, sfidat vendore
29.01.2026 14:14
Iniciativat e BE-së për menaxhim me migracionin ilegal, temë diskutimi mes përfaqësuesve institucionalë, akademikëve dhe OJQ-ve....

Iniciativat e BE-së për menaxhim me migracionin ilegal, temë diskutimi mes përfaqësuesve institucionalë, akademikëve dhe OJQ-ve. Me këtë rast nga MPB-ja theksuan sfidat e vendit me vendimet në kontinuitet të Unionit për këtë problematikë, ku u kërkua që vendet e rajonit të jenë edhe bartës të vendimeve evropiane e jo vetëm pasivë në implementimin e tyre.
“Edhe pse formalisht nuk jemi anëtare e Bashkimit Evropian, gjithsesi po i ndjejmë pasojat e çdo ndryshimi të politikave evropiane. Për këtë, është me rëndësi të japim përgjigje nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë vetëm pranues pasiv i pasojave nga reformat ose aktorë aktivë në vet procesin. Qëndrimi ynë është i qartë. Ekziston mundësi reale, por edhe nevojë që vendet e Ballkanit Perëndimor të japin kontribut aktiv në procesin vijues të reformave për migrantët.”, - deklaroi sekretari shtetëror në MPB, Sasho Petrushevski.
Sfidë mbetet edhe për Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhet t’i harmonizojë dhe implementojë ligjet vendore me ato evropiane.
“Para nesh mbeten sfidat që ndërlidhen me standardet e pranuara ndërkombëtare, në veçanti në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërtimin e kapaciteteve institucionale, si dhe menaxhimin me aspektet financiare dhe teknologjike të kontrabandës me migrantët, që lidhen me rrjetet kriminale të organizuara.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Angazhimin e tyre në migracionin ilegal e theksojnë edhe nga Këshilli i Prokurorëve.
“Bashkëpunimi mes Prokurorisë Publike dhe policisë, sipas ligjit aktual për procedurë penale të RMV-së, paraqet element kyç të realizimit të procedurës penale, respektivisht në ndjekjen dhe zbulimin e veprave penale. Policia si organ i brendshëm detyrohet të veprojë sipas urdhrave të dhëna nga prokurori publik.”, - u shpreh kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
Këto komente u thanë në sesionin e Konventës Nacionale për Bashkim Evropian në Maqedoninë e Veriut mbi paktin për migrim dhe azil, drejtësinë dhe sigurinë që lidhen me kapitullin e 24-të të procesit integrues.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
