Maqedoni

Seanca për pyetje deputetësh; Përfaqësimi i drejtë, temë përplasjesh

29.01.2026 14:21

Çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, temë debati në seancën për pyetje deputetësh....

Çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, temë debati në seancën për pyetje deputetësh. Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, shprehu pakënaqësinë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ndaloi detyrimin e deklarimit të përkatësisë etnike, ndërsa pyeti kryeministrin Mickoski se si institucionet do t’i definojnë të punësuarit mbi baza etnike, nëse veç më Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar deklarimin e përkatësisë etnike. 
 
“Duke pasur parasysh që përkatësia etnike nuk figuron në asnjë dokument personal, nuk ka përkatësi etnike të definuar askund, si ju si kryeministër ose si ministrat, drejtorët e institucioneve përkatëse, do të caktoni përbërjen etnike të institucionit që ju e drejtoni, duke u thirrur në vendimin Gjykatës Kushtetuese që të punësuarit aty mund të deklarohen se nuk duan të deklarojnë përkatësinë etnike.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi. 
 
Kryeministri tha se nuk do të komentojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se absolutisht po mbahet llogari për përfaqësimin e drejtë dhe se garantues për atë është pikërisht ai. 
 
“As si njeri, as si politikan, as si kryetar i Qeverisë nuk do të lejoj askush askënd ta minimizojë apo majorizojë. Cilësia e njerëzve, pa dallim përkatësie etnike, duhet të jetë kyçe dhe prioritet. Ky është themeli i vlerës kushtetuese dhe pjesë e rezolutave dhe konventave ndërkombëtare.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski informoi se Ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe së shpejti duhet të hyjë në procedurë kuvendore, ndërsa theksoi se për këtë ligj pret përkrahje nga të gjitha partitë politike, meqenëse i njëjti ka marrë mendim pozitiv edhe nga Komisioni i Venecias. 
 
ERSAN PAJAZITI