Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Nuk miratohen pa plotësimin e kushteve
29.01.2026 14:31
Ndryshimet kushtetuese mbeten të bllokuara...

Ndryshimet kushtetuese mbeten të bllokuara. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi në Kuvend se derisa ai të jetë në krye të Qeverisë, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa u plotësuar kushtet që Shkupi i kërkon Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian.
“Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë deri sa të jem unë kryetar i Qeverisë, përderisa nuk plotësohen së paku dy kushte. Kushti i parë është që pakica maqedonase në Bullgari të fitojë të drejtat e garantuara, në bazë të konventave dhe rezolutave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Dhe e dyta, derisa nuk marrim garancione për identitetin tonë maqedonas, për çka pres mbështetje nga ju si bashkëqytetarë të mi, për gjuhën time maqedonase, se nuk do të ketë më veto bilaterale dhe se nuk do të ketë më nënçmime të reja.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Rexhepi: Të miratohen sa më shpejt
Deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi, kërkoi që Kuvendi të miratojë ndryshimet kushtetuese sa më parë, duke theksuar se ato janë të domosdoshme për stabilitetin e vendit dhe perspektivën evropiane.
“T’i fillojmë ndryshimet kushtetuese me një parakusht që të gjithë 120 deputetët ta sjellim një rezolutë, me të cilën do të mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, sepse këtë e kemi obligim të gjithë. Menjëherë pas saj të shkojmë në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, sepse nga vendimi që do ta marrë Qeveria dhe Parlamenti varet ardhmëria e gjeneratave që vijnë, lumturia e tyre.”, - theksoi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.
Mickoski ftoi deputetët që në vend të rezolutave simbolike, të mbështesin një qëndrim të përbashkët politik se pa garanci konkrete nga BE-ja dhe Bullgaria, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë. Rexhepi nga ana tjetër tha se deputetët shqiptarë gjithmonë e kanë mbështetur gjuhën maqedonase, përkundër asaj që deputetët maqedonas nuk kanë treguar të njejtin respekt për gjuhën shqipe, e cila ende figuron si gjuhë që e flasin 20% e popullatës.
ERSAN PAJAZITI
