Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Grupi i Punës drejt finalizimit, dorëzohen emrat

29.01.2026 15:47

Vendi ndodhet para përpilimit të rregullave të reja të Kodit Zgjedhor....

Vendi ndodhet para përpilimit të rregullave të reja të Kodit Zgjedhor. Nuk dihet nëse do të ketë ligj kryekëput të ri apo vetëm ndryshime të versionit aktual. Megjithatë, partitë politike kanë propozuar emrat për anëtarë të grupit të punës dhe të njëjtat i janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i këtij dikasteri, Igor Filkov, ka premtuar së shpejti formimin e këtij trupi negociues. Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, bisedimet do të zhvillohen në Kuvend me një dinamikë të shtuar.
 
“Shpresoj se shumë shpejt do të formohet grupi punues, i cili besoj se do të punojë me një dinamikë të përshpejtuar, do të punojë në bazë të parimit të konsensualitetit, të gjithë përfshirjes, inkluzivitetit dhe duke qenë këtu në Kuvend, duke u zhvilluar ky dialog, jam i bindur se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor, që do t’i përmbushë kriteret edhe të partive politike dhe të gjitha subjekteve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
 
Propozimi i kryeministrit Hristijan Mickoski mbetet që modeli zgjedhor nga gjashtë njësi të shkrihet në një njësi zgjedhore. VLEN-i në pushtet dhe BDI-ja kërkojnë lista të hapura, por ende nuk e kanë të kristalizuar qëndrimin për modelin zgjedhor. Partitë maqedonase janë për ndryshime, përfshirë edhe LSDM-në, e cila kërkon konsensus.
 
MERAL ISMAILI