Maqedoni

Kallëzim penal ndaj kreut të KRrE-së, ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimin

29.01.2026 16:13

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër Marko Bislimovskit...

Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër Marko Bislimovskit, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, njoftojnë nga Drejtoria. Sipas tyre, Bislimovski i ka mundësuar kompanisë që në mënyrë të kundërligjshme të vazhdojë ushtrimin e veprimtarisë energjetike për 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore, si dhe të marrë pjesë dhe të lidhë kontrata në kuadër të prokurimeve publike.  
 
“Personi i paraqitur M.B., në cilësinë e kryetarit të KRrE-së, e ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimin e tij zyrtar në atë mënyrë që, në kundërshtim me Ligjin për Energjetikë dhe Rregulloren për Licenca, edhe pse ka qenë i obliguar të fillojë procedurë për heqjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë energjetike, tregti me shumicë të naftës së papërpunuar, derivateve të naftës, biokarburanteve dhe karburanteve për transport, tregti me shumicë të eurodizelit BS (D-E V), biodizelit, eurosuper BS 95, ekstra i lehtë 1 (EL-1) dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN) për personin juridik “Triterol Petrol” ShPKNj Shkup, për shkak të mosplotësimit të kushteve të përcaktuara me ligj, ka marrë vendim të paligjshëm për ndërprerjen e procedurës dhe, në vend që licenca t’i hiqej më 15.01.2024, ajo është hequr vetëm më 14.04.2025.", thuhet në njoftim.
 
KRrE: Është vepruar ligjërisht
 
KRrE nuk komenton detaje për kallëzimin penal, pretendon se është vepruar ligjërisht me heqjen e licencës së kompanisë “Triterol Petrol.
 
"KRrE e informon opinionin publik se, në rastin konkret lidhur me procedurën për heqjen e licencës së “Triterol Petrol”, është vepruar në përputhje me Ligjin për Energjetikë dhe Rregulloren për licenca, duke u vepruar në të njëjtën mënyrë dhe brenda të njëjtave afate edhe për kompani të tjera kërkuese të licencave. KRrE nuk do të komentojë detaje, me qëllim që t’u lihet institucioneve të sistemit, që në mënyrë profesionale ta kryejnë punën e tyre.", thuhet në njoftimin e Komisionit.
 
FLORIJE KAMBERI