Maqedoni
MPB, padi ndaj Deharit, dëmtoi buxhetin 130 mijë euro
29.01.2026 16:31
Sektori për Punë të Brendshme në Kërçovë ka paraqitur kallëzim penal...

Sektori për Punë të Brendshme në Kërçovë ka paraqitur kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, si dhe kundër F.A. (62) nga fshati Zajaz; A.N. (38) nga fshati Srbicë; H.B. (37) nga fshati Cërvevcë dhe B.S. (36) nga fshati Strelcë, për kryerjen e veprës penale “pastrim parash dhe përfitime të tjera nga vepra penale.
Me veprimet e tij, Dehari nga viti 2021 deri në vitin 2025 ka dëmtuar buxhetin e Kërçovës në vlerë prej 130.000 eurosh dhe ka mundësuar që personat e tjerë të kallëzuar të përfitojnë dobi materiale.
"F.D. në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kërçovës, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, me vetëdije dhe me dashje, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe duke mos vepruar në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ka lidhur kontrata pune me personat e tjerë të kallëzuar. Më pas, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e detyrueshme, me vetëdije u ka lejuar që të mos paraqiten në punë, ndërsa atyre u janë paguar paga, kompensime të tjera dhe kontribute nga arka komunale dhe pas skadimit të afatit ligjor nuk ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
FLORIJE KAMBERI
