Botë

Prokuroria Themelore në Prizren vazhdon hetimet për manipulimin e votave

29.01.2026 16:52

Prokuroria Themelore në Prizren dhe policia e Kosovës kanë njoftuar se një grup i dytë...

Prokuroria Themelore në Prizren dhe policia e Kosovës kanë njoftuar se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.
 
Në njoftimin e saj Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren. 
 
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. 
 
Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren,  pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar. Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.
 
Operacioni në Prizren vjen një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në komunën e Malishevës. Përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas. 
 
GYLTENE SINANI