Botë

Një epokë e re bashkëpunimi, Britania dhe Kina, me partneritet strategjik

29.01.2026 17:24

Pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh të tensionuara, Londra dhe Pekini...

Pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh të tensionuara, Londra dhe Pekini futen në një epokë të re bashkëpunimi. Udhëheqësit e Britanisë dhe Kinës kanë bërë thirrje për partneritet strategjik gjithëpërfshirës për të forcuar lidhjet në një periudhë pasigurie globale.
 
Kryeministri britanik Kir Starmër, pas vitesh tensione, për herë të pare zyrtarisht takohet me presidentin kinez Xi Jinping. Të dyja palët njoftuan përparim në çështjet e tregtisë dhe sigurisë. Starmër tha se marrëdhënia është vendosur mbi një bazë të fortë dhe e quajti takimin produktiv, duke shtuar se Kina është një lojtar kyç në skenën botërore.
 
"Ne kemi bërë përparim vërtet të mirë në tarifat e uiskit, në udhëtimin pa viza me Kinën dhe në shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin për migracionin e parregullt, me një fokus të veçantë në anijet e vogla dhe motorët e tyre. Këto janë tri fusha, por ato janë shembuj të një hapjeje shumë më të gjerë për biznesin që kemi diskutuar për një kohë të gjatë. Një takim vërtet konstruktiv me rezultate reale dhe është në interesin tonë kombëtar.", - deklaroi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Kir Starmër.
 
Xi Jinping pranoi se ka vështirësi që duhen kapërcyer, por tha se bashkëpunimi midis dy vendeve mund të hapë një kapitull të ri historik. Ai tha se marrëdhëniet duhet të jenë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të respektojë interesat e përbashkëta.
 
"Në vitet e fundit ka pasur kthesa të mëdha në marrëdhëniet tona, që nuk janë vetëm në interes të të dy vendeve. Kina dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të forcojnë dialogun dhe bashkëpunimin, qoftë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin botëror apo për të përmirësuar ekonomitë dhe kushtet e jetesës së të dy vendeve.", - theksoi presidenti kinez, Xi Jinping.
 
Vizita e kryeministrit britanik Kir Starmër në Kinë vjen mes tensioneve me presidentin e ShBA-së, Donald Tramp, i cili kërcënoi Kanadanë me tarifa nëse nënshkruan marrëveshje tregtare me Pekinin. Kanadaja është shtet i pavarur, por ruan lidhje ceremoniale me Mbretin e Bashkuar.
 
Starmër më herët u shpreh se është pragmatist dhe nuk sheh nevojë të zgjedhë midis Uashingtonit dhe Pekinit, duke udhëhequr një delegacion prej mbi 50 biznesmenësh. Megjithatë ai theksoi se marrëdhëniet me ShBA-në mbeten të ngushta. Edhe kancelari gjerman Fridrih Merts planifikon të vizitojë Pekinin në fund të shkurtit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU