Botë
Situata në Iran, ShBA-ja dhe BE-ja ashpërsojnë qëndrimin
30.01.2026 14:04
Tensionet mes Iranit dhe Perëndimit çdo ditë e më tepër janë duke u përshkallëzuar....

Tensionet mes Iranit dhe Perëndimit çdo ditë e më tepër janë duke u përshkallëzuar. Irani deklaron se është gati të mbrohet me forcë ndaj çdo ndërhyrjeje amerikane, ndërsa ShBA-ja thotë se ushtria e saj është në gatishmëri për të zbatuar vendimet e presidentit Tramp. Qëllimi i Uashingtonit është të pengojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore.
"Ne kemi anije shumë të mëdha dhe të fuqishme që lundrojnë drejt Iranit tani. Dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t'i përdornim ato. U thashë iranianëve dy gjëra. Së pari, asnjë armë bërthamore dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit. Ata po vrasin mijëra.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Bashkimi Evropian e ka shpallur Trupën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit një organizatë terroriste, për siç thonë ata: “ shtypjen brutale të protestave në të gjithë vendin.”
"Kjo e vendos Gardën në të njëjtin nivel me Shtetin Islamik, Al-Kaedën dhe Hamasin. Ata që manifestojnë terror duhet të trajtohen si terroristë. Ministrat vendosën gjithashtu sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për shtypjen brutale të protestave, përfshirë ministrin e Brendshëm. Shtypja nuk mund të mbetet pa përgjigje.”, - theksoi përfaqësuesja e Politikës së Jashtme e BE-së, Kaja Kallas.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Iraniane paralajmëroi se ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt te vendimmarrësit evropianë. Sipas tyre, vendimi u mor nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Pasiguri e madhe vërehet edhe midis popullit iranian. Çmimet vazhdojnë të rriten, monedha rial bie dhe jeta është bërë edhe më e vështirë. Në Teheran ka mbërthyer një qetësi frikë mes banorëve. Të pakët janë ata që kanë guximin të flasin hapur.
"Kam frikë nga një sulm nga Shtetet e Bashkuara. Madje kam frikë të flas për këtë.", - tha një shtetase e Iranit.
"Unë jam veshur me të zeza, sepse jam në zi. Kjo nuk është hera e parë. Tashmë kemi pasur disa masakra në Iran, shumë kanë humbur jetën. Protestat nuk na kanë çuar askund. Tani duhet të presim dhe të shohim se çfarë vendos ShBA-ja.", - u shpreh një shtetase tjetër e Iranit.
Kombet e Bashkuara kanë përsëritur dënimin e tyre për shtypjen e tmerrshme që po ndodh në Iran dhe kanë bërë thirrje për dialog për të adresuar tensionet në rritje në vend.
FARIJE DAUTI BAKIU
