Maqedoni

Shoqata e gjinekologëve dhe akusherëve privatë kërkon definim të shërbimeve shëndetësore

30.01.2026 14:25

Shoqata e gjinekologëve dhe akusherëve privat kërkon definim të qartë të rregullave se cilat shërbime mbulohen nga kuota shtetërore....

Shoqata e gjinekologëve dhe akusherëve privat kërkon definim të qartë të rregullave se cilat shërbime mbulohen nga kuota shtetërore. Ky sqarim i tyre vjen pasi drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, deklaroi se një pjesë e madhe e gjinekologëve u kanë kërkuar pacientëve të paguajnë për disa shërbime, të cilat janë pa pagesë. Por, nga kjo shoqatë thonë se ka paqartësi në marrëveshjet që ua ofron Fondi Shëndetësor, sidomos sa i përket numrit të kontrolleve apo simptomave për kontroll dhe kontrolleve të caktuara që i kërkojnë pacientët, prandaj ata kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet në dialog me institucionet shëndetësore. 
 
“Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet kompetencave të saja, të përpilojë rekomandime klinike, të cilat, mes tjerash, do të ndikonin edhe në ngritjen sistemore të standardit për pranimin dhe ofrimin e mbrojtjes primare shëndetësore në nivel me atë evropian, dhe deri te Fondi i Sigurimit Shëndetësor për revidimin e marrëveshjes ekzistuese me implementimin e një sërë shërbimesh, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë.”, - deklaroi mjeku, Gjorgji Kostadinov.
 
“Kërkesa jonë është konkrete ndaj Ministrisë dhe Fondit që t’i definojë ato shërbime. Ajo është detyrë e tyre. Ne tani punojmë në një kaos. Ajo që Ministria e Shëndetësisë e ka sjellë për tre vjet nuk është vendimi ynë.”, - theksoi mjekja, Olivera Arnaudova.
 
Ata thanë se qëllimi i tyre është vendosja e një sistemi të qëndrueshëm në interes të pacientëve dhe të shëndetësisë primare. Prandaj, ata insistojnë për dialog urgjent për revidimin e marrëveshjes dhe definimin e qartë të shërbimeve shëndetësore, në interes të shëndetit të gruas.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI