Maqedoni
Tragjedia në Koçan, aktakuzë ndaj 13 policëve për zjarrin në Koçan
30.01.2026 15:15
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj 13 punonjësve policorë...

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj 13 punonjësve policorë lidhur me zjarrin tragjik që shpërtheu më 16 mars 2025 në kabarenë “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa 223 të tjerë u plagosën. Pas një procedure të gjerë hetimore, në të cilën u përfshinë gjithsej 27 policë, prokurori ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Policët nuk kanë parandaluar përdorimin e pajisjeve piroteknike.
"Sipas aktakuzës, në periudhën nga 14 deri më 16 mars 2025, punonjësit policorë të akuzuar kanë miratuar dhe zbatuar një plan për kontroll aksional të objekteve hotelierike pa verifikuar plotësisht nëse janë respektuar dispozitat ligjore dhe procedurat e sigurisë. Gjatë kontrollit në kabare nuk janë ndërmarrë masa adekuate për mbrojtjen e personave të pranishëm, as nuk është parandaluar përdorimi i pajisjeve piroteknike të padeklaruara, gjë që ka çuar në shpërthimin e zjarrit.".
Përveç kësaj, Prokuroria ka dorëzuar edhe propozime për aktakuzë ndaj 12 policëve të tjerë. Nëntë prej tyre dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë dhënies së lejeve për funksionimin e kabaresë në vitet 2022 dhe 2023, ndërsa tre policë akuzohen për futje të të dhënave të pasakta në procesverbale zyrtare. Ndaj shtatë policëve hetimi është ndërprerë, pasi është konstatuar se nuk ekziston lidhje e drejtpërdrejtë mes veprimeve të tyre dhe zjarrit. Hetimi është ndërprerë edhe për një polic të ndjerë. Për të gjithë të akuzuarit mbeten në fuqi masat për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
FLORIJE KAMBERI
