Botë

Trampi paralajmëron Britaninë: Bashkëpunimi me Kinën është shumë i rrezikshëm

30.01.2026 17:03

Bashkëpunimi mes Kinës dhe Britanisë është shumë i rrezikshëm...

Bashkëpunimi mes Kinës dhe Britanisë është shumë i rrezikshëm, por veçanërisht shqetësues për Kanadanë, tha presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. Ai shtoi se Kina nuk mund të shihet si një zgjidhje e lehtë, edhe pse e njeh mirë udhëheqësin kinez Xi Jinping.
 
Trampi komentoi për Britaninë, por përmendi Kanadanë, sepse vendi ruan lidhje ceremoniale me Mbretërinë e Bashkuar dhe çdo hap i Britanisë në drejtim të Kinës mund të ketë implikime edhe për Kanadanë.
 
Deklaratat erdhën në kohën kur kryeministri britanik Keir Starmer ndodhej për vizitë në Kinë, e para e një kryeministri britanik pas disa vitesh tensione. Vizita shihet si përpjekje për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me Pekinin, në një kohë kur lidhjet me Shtetet e Bashkuara mbeten të paparashikueshme.
 
“Është shumë e rrezikshme për ta që ta bëjnë këtë. Dhe mendoj se është edhe më e rrezikshme për Kanadanë të hyjë në biznes me Kinën. Kanadaja nuk ecën mirë. Ata ecin shumë keq. Dhe nuk mund ta shihni Kinën si zgjidhje. Unë e njoh shumë mirë Kinën. E njoh edhe presidentin Xi, pasi është mik i imi. Është një pengesë shumë e madhe për t’u kapërcyer kur bëhet fjalë për Kanadanë. Gjëja e parë që do të thonë është: nuk ju lejohet më të luani hokej mbi akull. Kjo nuk është mirë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer ka mbrojtur afrimin me Pekinin, duke e quajtur një ngjarje historike. Ai theksoi se bisedimet me autoritetet kineze kanë mundësuar arritjen e përparimit të vërtetë në marrëdhëniet dypalëshe. 
 
“Ky është një udhëtim historik, sepse kjo është hera e parë në tetë vjet që një kryeministër britanik ka qenë këtu në tokën kineze. Tetë vjet të gjata, një ngjarje historike. Besoj se sa më shumë të angazhohemi, sa më shumë të shkëmbejmë dhe sa më shumë të shfrytëzojmë hapjen e aksesit ndaj mundësive në biznes, art, kulturë dhe fusha të tjera, aq më shumë ndërtojmë besim dhe respekt të ndërsjellë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme.”, - theksoi kryeministri britanik, Keir Starmer.
 
Starmer është lideri i parë nga një anëtar permanent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që Kina e ka pranuar këtë vit për vizitë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. 
 
“Të dyja palët kemi rënë dakord të krijojmë partneritetin e lartë Kinë-Britani për klimën dhe natyrën, të rifillojmë dialogun e lartë për sigurinë dhe të mbajmë një raund të ri dialogësh institucionalë gjatë këtij viti, siç janë dialogu strategjik Kinë-Britani, dialogu ekonomik dhe financiar, dhe takimi i Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun. 
 
Vizita e Keir Starmer në Kinë e vendos kryeministrin britanik përballë një ekuilibri delikat diplomatik, ndërsa kërkon të thellojë bashkëpunimin ekonomik me Pekinin, pa dëmtuar “marrëdhënien speciale” të Mbretërisë së Bashkuar me Shtetet e Bashkuara.
 
Një zyrtar britanik reagoi ndaj komenteve të Trampit, duke theksuar se Uashingtoni ishte i informuar për vizitën e Starmerit dhe për planet e qeverisë britanike për forcimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën.
 
FARIJE DAUTI BAKIU