Protestë për mbylljen e Cementarisë “Usje”, qytetarët kërkojnë ajër të pastërt: “Mjaft na helmuat”
Me pankarta që mbanin mesazhe si “Fitim për ta, sëmundje për ne”...

Me pankarta që mbanin mesazhe si “Fitim për ta, sëmundje për ne”, “Ajri nuk është luks, është e drejta jonë”, “Fitim për Usje, sëmundje për popullin” dhe “Stop Usje”, qytetarët protestuan sot duke kërkuar mbylljen e cementarisë, duke theksuar se fitimi ekonomik nuk duhet të jetë mbi shëndetin e njerëzve.
Protesta filloi para Qeverisë, më pas pjesëmarrësit marshuan drejt Kuvendit dhe vazhduan para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ata kërkuan që institucionet të mbajnë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe se kërkesat për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit duhet të marrin përgjigje konkrete dhe të menjëhershme.
“I thërasim institucionet të mos jenë në anën e industrisë, por në anën e qytetarëve, të atyre që i votojnë dhe i vendosin në Qeveri. Flasim për 35 vite me radhë, sepse USJE nuk po na helmon vetëm sot, por vazhdon ta bëjë këtë për 35 vite. Nëse USJE thotë se nuk ndot, atëherë le të vendosin stacione matëse rreth cementarisë, një sistem që mat 24/7, dhe të shohim nëse ndot apo jo.” – tha një aktivist në protestën e organizuar para Qeverisë.
Të pranishmit theksuan se nuk mund të pranojnë një situatë ku, siç thanë, “nuk mund të marrim frymë nga fitimi”, duke nënvizuar se e drejta për ajër të pastër është një e drejtë themelore njerëzore, jo një privilegj. Ndërkohë nga ana e saj, kompania USJE ka reaguar duke thënë se protestuesit po bëjnë sulme të pabazuara ndaj saj për më shumë se një muaj dhe se ajo nuk është shkaktar i ndotjes. (Armend Murseli, TVM2)
