Safe City nisë të funksionojë, kamerat ndëshkojnë shkeljet e evidentuara

01.02.2026 14:30

Shumë qytetarë pajtohen me vendosjen e rregullave në komunikacion...

Kamerat janë ndezur. Sistemi është aktiv. Prej sot, “Safe City” ka nisur zbatimin praktik. Qyteti hyn në një fazë të re të monitorimit digjital, me premtimin për më shumë siguri dhe rend publik. Por në ditën e parë të zbatimit, pyetja kryesore është: a janë gati qytetarët për këtë ndryshim?

Shumë qytetarë pajtohen me vendosjen e  rregullave në komunikacion, por shprehen se sistemi “Safe City” ka mangësi, të cilat nuk janë plotësuar.

“Janë edhe disa gjëra të papërshtatshme, sidomos për parkingjet e veturave, meqenëse ne nuk kemi parking ku mund ti parkojmë veturat, ti do e lësh veturën diku dhe kamera do të fotografojë dhe e mer dënimin”

“Kamerat është shumë mirë kjo që bëhet, por sinjalizimet nuk janë siç duhet. Përpara duhet të jetë sinjali se sa lejohet të vozitet 30 apo 50 po pastaj të jetë kamera e sigurimit”

“Ku e kemi ne gjendjen për ti paguar ato dënime që i kanë vendosur, kjo është katastrofë”

“Nuk mendoj se janë keq të vendosura, ajo mirë është, sistemi është i mirë, por dënimet janë të larta”

“Mendoj se këto kanë me i siguru më shumë qytetarët, sidomos këmbësorët për të lëviz më lirë dhe për të qenë më të kujdesshëm. Sidomos edhe shoferat për të qenë më të respektueshëm ” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Në fazën e parë, sistemi detekton katër shkelje në trafik edhe atë,  tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, parkim i parregullt, pjesëmarrja në komunikacion me automjet të paregjistruar.

Aotoritetet kanë njoftuar se deri në 50 km/h toleranca është 6 km/h. Nga 50 deri në 100 km/h toleranca është 9 km/h. Mbi 100 km/h toleranca është 12 km/h.

Autoritetet thonë se sistemi do të ndihmojë në parandalimin e shkeljeve dhe uljen e rrezikut në rrugë.

“Ligjet evropiane thonë toleranca të jetë jo më shumë se 10%, ne tani jemi pak më shumë. Për shkak se kishte reagime, ne i dëgjuam. Ne tani jemi në 15%. Nuk është poenta të dënohen qytetarët, poenta është të mos ketë aksidente të trafikut, të mos ketë pasoja me humbje të jetëve të njerëzve si pasojë e atyre aksidenteve të trafikut” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

VLEN e konsideron këtë një investim të rëndësishëm në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në komunikacion.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Respektimi i rregullave nuk është vetëm detyrim ligjor, por kontribut i drejtpërdrejtë për mbrojtjen e jetës sonë, të familjeve tona dhe të çdo qytetari”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Përndryshe, gjobat për shkeljet në trafik fillojnë nga 15 euro deri në 500 euro si dhe ndalesa. Qytetarët njoftimin e pranojnë në telefon përmes sms-ve dhe në adresën e-mail të cilën pronari e ka dorëzuar gjatë regjistrimit. 

Gjoba do mund të paguhet në mënyrë elektronike, në postë dhe në bankë. Nëse pronari i automjetit e paguan gjobën brenda tetë ditëve, do ta paguajë vetëm gjysmën e saj. (Ersan Pajaziti, TVM2)