Paga minimale, LSM nuk heqë dorë nga rritja e pagave
LSM nuk heq dorë nga kërkesa për rritjen e pagës minimale...

LSM nuk heq dorë nga kërkesa për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe paralajmëron se nga nesër do të vazhdojë me protesta, të cilat, sipas tyre, do të radikalizohen.
Ristevski: Qeveria mbështet rritjen e pagave mbi baza reale
Zëvendësministri i Ekonomisë, Marijan Ristevski, deklaroi se këto kërkesa kanë edhe prapavijë politike. Ai theksoi se Qeveria mbështet rritjen e pagave, por vetëm mbi baza reale dhe në përputhje me gjendjen ekonomike.
“Qëndrimi ynë është që të merren vesh, pasi që rëndesa më e madhe do të shkoj në sektorin privat, 600 mijë të punësuar duhet ti mbulojnë rritjen e pagave edhe në administratën publike, nëse dakordohen punëdhënësit me sindikatat, për atë që ata do të dakordohen Qeveria do ta pranojë. Qeveria është punëdhënës e 100 mijë të punësuarve dhe në aspekt të kontributeve të cilat do të paguhen me rritjen e pagave në sektorin privat ne do ti mbulojmë komplet pagat në sektorin publik të të gjithë asaj rritje pa dallim në cilën pjesë, në cilën ministri apo në cilin institucion publik bëhet fjalë”. – tha Zv.Ministri i Ekonomisë, Marijan Ristevski.
Mickoski: Oferta për sindikatën është në tryezë prej një viti
Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se oferta ndaj sindikatave ka qenë në tryezë prej një viti dhe se qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar.
Ai përsëriti se është i gatshëm për takim dhe për nënshkrimin e marrëveshjes kolektive për nëpunësit shtetërorë, por theksoi se nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive duhet të hiqet pjesa që lidhet me pagat, e cila, sipas tij, është e paqartë dhe kërkon negociata të veçanta.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm për takim. Mund të biem plotësisht dakord për një takim dhe nuk kishte nevojë për asnjë koment publik lidhur me këtë temë, pasi këtë e kam propozuar shumë qartë që vitin e kaluar, vetëm se atëherë ishte paraparë në katër këste sepse përfshihej edhe viti 2025. Tani, meqë viti 2025 ka kaluar, mbeten tre vite, përkatësisht dy vite dhe dy-tre muaj (prill 2026, 2027 dhe 2028).” – deklaroi Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, LSM e ftoi Qeverinë që të hënën të nënshkruajë marrëveshjen kolektive, me të cilën, sipas sindikatës, pagat do të rriteshin me 40 për qind dhe zbatimi të fillonte në shkurt të vitit 2026, në vend të vitit 2028. Për javën e ardhshme janë paralajmëruar bllokada, ndërsa mbetet edhe opsioni i grevës së përgjithshme nëse nuk realizohet rritja e pagave. (Armend Murseli, TVM2)
