Irani dhe SHBA në bisedime, Trump: Shpresoj që të negociojnë për diçka që është e pranueshme

01.02.2026 16:10

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, derisa ka refuzuar të zbulojë “vendimin e tij përfundimtar” për Iranin, ka konfirmuar lëvizjen e anijeve luftarake. Trump beson se negociatat do të sjellin diçka të pranueshme në një moment kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.

“Kemi shumë anije shumë të mëdha dhe të fuqishme që po lëvizin në atë drejtim, siç e dini. Por shpresoj që ata të negociojnë për diçka që është e pranueshme. Nëse mund të arrihet një marrëveshje përmes negociatave që do të ishte e kënaqshme, pa armë bërthamore, ata duhet ta bëjnë këtë… Nuk e di nëse do ta bëjnë, por ata po bisedojnë seriozisht me ne.” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Irani kërcënon me luftë rajonale nëse SHBA sulmon

Ndërkohë udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar presidentin amerikan Donald Trump, se çdo sulm i SHBA-së ndaj Iranit do të shkaktonte një konflikt rajonal.

“Ky zotëri vazhdimisht pretendon: kemi sjellë anije luftarake dhe kemi bërë këtë apo atë. Mendoj se nuk duhet ta frikësoni kombin iranian me gjëra të tilla; ai nuk do të preket nga vërejtje të tilla. Ai nuk ka frikë nga një përballje e drejtë. Ne nuk jemi nxitës dhe nuk synojmë të sulmojmë asnjë vend. Por kombi iranian do t’i japë një goditje të fortë kujtdo që e sulmon ose e ngacmon.” – u shpreh Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Irani është në trazira që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur demonstruesit dolën në rrugët e Teheranit duke kërkuar që autoritetet të ndërmarrin masa për gjendjen e keqe ekonomike.

Trazirat u përhapën në të gjithë vendin dhe u shndërruan në kërkesë për ndryshim të qeverisjes politike. Në protesta vlerësohet se kanë humbur jetën mijëra njerëz. (Armend Murseli, TVM2)