BDI: Ulet përfaqësimi i shqiptarëve në “NP” të Shkupit

01.02.2026 16:46

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar Qytetin e Shkupit për ulje të përfaqësimit të shqiptarëve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike.

Sipas BDI-së, numri i shqiptarëve në këto këshilla ka rënë nga rreth 40 në vetëm 17, ndërsa në disa ndërmarrje nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar.

BDI thekson se në institucione si Higjiena Komunale, Salla Universale, Biblioteka e Qytetit, Kopshti Zoologjik dhe disa qendra kulturore, përfaqësimi shqiptar është zero, ndërsa në disa të tjera është i kufizuar në vetëm një anëtar.

“Sipas dokumenteve që kemi në posedim, përfaqësimi i shqiptarëve në këto këshilla është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme, kur kishte rreth 40 shqiptarë në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike të qytetit. Në vendimet e miratuara deri tani, ky numër ka rënë në vetëm 17 shqiptarë. Kjo përbën një rënie të dukshme të përfaqësimit. Në disa ndërmarrje publike, sipas vendimeve të miratuara, nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues” – thonë nga BDI.

Gjorgjievski: Anëtarët e rinj janë me dinjitet, me përvojë serioze

Duke kometuar akuzat e opozitës lidhur me emërimin e antarëve të ri në Këshillat drejtues, kreu i qytetit Orce Gjorgjievski, tha se të gjithë të emëruarit i njeh dhe se do të japin kontributin e tyre në ndërmarrjet publike.

“Ata duhet të jenë korrektor të drejtorëve dhe të gjendjes në NP dhe vlerë e shtuar të ndihmojnë. Sa i përket asaj se nuk janë dorëzuar biografitë e tyre, e hedh poshtë atë si të pavërtetë pasi në komisionin në të cilin marrin pjesë anëtar të të gjitha partive politike kanë qenë të dorëzuar biografitë e të gjithë anëtarëve të këshillit drejtues dhe mbikqyrës. Ata janë njerëz me dinjitet, me përvojë serioze dhe njerëz të cilët do të mund të ndihmojnë.” – tha Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Këto komente Gjorgjievski i bëri deri sa mori pjesë në inaugurimin e aktiviteteve ndërtimore në bulevardin “Maqedonia”, për të cilin sipas tij pritet që të zvogëlojnë trafikun e dendur në qendër të qytetit.

Sipas tij punimet do të zbatohen katër faza, e para prej të cilave duhet të përfundojë për 90 ditë. (Armend Murseli, TVM2)