Botë
Pas rrëzimit të Maduros në Venezuelë, Trampi e vë Kubën përballë kolapsit energjetik
02.02.2026 13:48
Havana përballet me një krizë të rëndë humanitare për shkak të mungesës së naftës...

Havana përballet me një krizë të rëndë humanitare për shkak të mungesës së naftës, duke mbetur pa energji elektrike deri në 12 orë në ditë. Presidenti amerikan Donald Tramp ka paralajmëruar një marrëveshje të mundshme me Kubën, pas ndalimit të furnizimeve me naftë nga Venezuela, pas rrëzimit të Nikolas Maduros. Trampi gjithashtu ka firmosur një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që furnizojnë Havanën me energji. Vitet e fundit, Kuba kishte siguruar naftë edhe nga Rusia dhe Meksika.
“Pra, Kuba është një shtet i dështuar. Kështu ka qenë prej kohësh. Por, tani nuk e ka më Venezuelën që ta mbështesë. Prandaj bisedojmë me përfaqësuesit më të lartë të Kubës. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Dua që njerëzit të cilët erdhën këtu, pasi Kuba i trajtoi në mënyrë të tmerrshme, të jenë të sistemuar dhe të mund të kthehen te familjet e tyre atje, të cilët nuk i kanë parë për shumë, shumë vite. Prandaj, do të arrij një marrëveshje me Kubën, e cila ndodhet në një gjendje shumë të keqe.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Vlerësohet se vendi i Karaibeve kalon një nga krizat më të rënda ekonomike që nga viti 1959, kur pas revolucionit u vendos regjimi i Fidel Kastros.
“Bota është shndërruar në Perëndimin e Egër. Kur isha i ri, tani jam 90 vjeç, shikoja filma ku përdornin armët për të vrarë indianët dhe për të pushtuar prona. Ky është shpirti i sherifit të ri të botës, Tramp.”, - tha një qytetar kuban.
“Kuba është kërcënim për kubanët, jo për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ne kubanët këtu, Qeveria është kërcënimi. Masat që merr Donald Tramp janë të rënda, sepse do të ndikojnë te njerëzit, jo te Qeveria.”, - tha një qytetar tjetër kuban.
Një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të ShBA-së, Meksika, njoftoi me kujdes dërgesa të reja të ndihmës humanitare për Havanën.
“Sigurisht, nuk duam të rrezikojmë vendosjen e tarifave të tjera ndaj Meksikës, por thjesht të kërkojmë, përmes kanaleve diplomatike, një kornizë dialogu dhe komunikimi që do të parandalojë një situatë serioze për popullin kuban, i cili tashmë përballet me kushte shumë të vështira.”, - deklaroi presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum.
Shqetësim për rritjen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Havanës shprehu edhe Papa Leoni XIV, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të promovojnë dialog të sinqertë dhe efektiv.
“Me shqetësim të madh i mora lajmet për rritjen e tensioneve mes Kubës dhe ShBA-së, dy vende fqinje. Bashkohem me mesazhin e ipeshkvijve kubanë, duke ftuar të gjithë përgjegjësit të promovojnë dialog të sinqertë dhe efektiv për të shmangur dhunën dhe çdo veprim që mund të rrisë vuajtjet e popullit të dashur kuban.”, - theksoi Papa Leoni XIV.
Në vitin 2015, ShBA-ja dhe Kuba rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas plot 54 vitesh ndërprerjeje, por tensionet e vazhdueshme dhe politikat ndëshkuese të viteve të fundit kanë penguar normalizimin e plotë të raporteve, duke e lënë ishullin të pambrojtur përballë krizave të rënda si ajo aktuale energjetike.
FARIJE DAUTI BAKIU
