Maqedoni
Procesi gjyqësor për “Puls”, Shilegov: Të ndalet procedura për disa policë
02.02.2026 14:08
Në procesin gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” shtrohen kërkesa të reja....

Në procesin gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” shtrohen kërkesa të reja. Avokati mbrojtës, Petre Shilegov, kërkoi ndërprerjen e procedurës për një pjesë të policëve, që sipas tij, nuk kanë qenë të autorizuar për inspektimin e përdorimit të materialit piroteknik. Shilegovi kërkesën e bazon në vendimin e marrë të Prokurorisë Themelore kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për të larguar nga procedura shtatë policë, të cilët nuk kanë qenë të obliguar për kontrolle piroteknike brenda diskotekës.
“Për 13 policë janë ndërmarrë masa pasi ata kanë qenë të obliguar që të inspektojnë përdorimin e piroteknikës, por për të tjerët jo, pasi nuk kanë pasur obligim të tillë. Tani, njerëzit që gjenden këtu në bankën e të akuzuarve janë njerëz që nuk e kanë për obligim të kryejnë inspektime, andaj është kontradiktore që për vepër të njëjtë penale, për kualifikime të njëjta juridike, shteti për disa të thotë këtë lëndë nuk mund ta bëni nëse nuk e shkaktoni vetë zjarrin, e për këta njerëz që janë këtu ta thoni të kundërtën.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Petre Shilegov.
Këtij propozimi për rishikim të të dhënave dhe ndërprerje të procedurës iu bashkëngjitën edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë. Gjykatësja Diana Gruevska Ilievska lidhur me këtë moment kërkoi të shqyrtojë vendimin e Prokuorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Të premten, kjo prokurori ngriti tre aktakuza ndaj 25 punonjësve policorë të lidhur me ngjarjet në Koçan. Njëkohësisht, është nxjerrë edhe urdhër për ndalimin e procedurës hetimore ndaj shtatë punonjësve policorë, të cilëve u ngarkohen veprime të ndërmarra në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022. Lënda për ata është dërguar për veprim të mëtejshëm në Prokurorinë Themelore në Koçan.
MERAL ISMAILI
