Rajon

PZAP: 7 ankesa ndaj rezultateve të publikuara nga KQZ-ja

02.02.2026 14:21

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar shtatë ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga KQZ...

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar shtatë ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mesin e ankesave është edhe ajo e Listës Serbe, për mos certifikimin e listës së kandidatëve të saj për deputetë dhe dy ankesa ka parashtruar kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu. PZAP do të duhet të vendosë për të gjitha ankesat brenda afatit ligjor prej 96 orësh.
 
OSBE: Po i monitorojmë zhvillimet rreth zgjedhjeve
 
Misioni i OSBE-së në Kosovë po i monitoron nga afër zhvillimet, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke miratuar listat e të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe.
 
“Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si një mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë.”, thuhet në reagimin e OSBE-së. 
 
Prokuroria dhe Policia vazhdojnë hetimet, merren në pyetje komisionerët në Podujevë
 
Ndërkohë Prokuroria dhe Policia e Kosovës vazhdojnë me mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për manipulim me votat e kandidatëve për deputet. Pas Prizrenit, Malishevës dhe Mitrovicës, kanë vazhduar hetimet në komunën e Podujevës. 
 
“Gjatë këtij procesi, ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
 
Prokuroria dhe Policia e Kosovës së fundmi kanë intervistuar qindra komisionerë nëpër komuna të ndryshme dhe kanë ndaluar dhjetëra prej tyre mbi dyshimin për manipulim të votave.
 
GYLTENE SINANI