Maqedoni
Përplasje Qeveri – LSM për rritjen e pagave, takimi është shtyrë për të enjten
02.02.2026 14:41
E pritën, por ai nuk erdhi në mëngjes për të nënshkruar marrëveshjen për rritjen e pagave prej 40 për qind për punëtorët e administratës...

E pritën, por ai nuk erdhi në mëngjes për të nënshkruar marrëveshjen për rritjen e pagave prej 40 për qind për punëtorët e administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve. Kështu u shpreh kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov, pasi të hënën në mëngjes ai shpresonte se përfaqësuesi i Qeverisë do të vinte për të nënshkruar marrëveshjet për përcaktimin e lartësisë së pagës minimale bruto, duke filluar nga muaji shkurt, për këtë kategori të punësuarish, përmes së cilës paga minimale do të rritej në 600 euro neto, ndërsa pagat e tjera për së paku 6.000 denarë. Sindikalistët e LSM-së janë të zhgënjyer nga ky veprim dhe akuzojnë ekzekutivin se nuk ka sy e vesh për t’i rritur pagat.
“Më e rëndësishmja është se ata u vetëdemaskuan, duke mos u paraqitur sot. Duhej t’i nënshkruanin marrëveshjet kolektive për rritjen e pagave të punëtorëve me 40 për qind në SPAOGjShQ, por këtë nuk e bënë. Është e qartë se maskat tashmë kanë rënë dhe se manipulimet që i paraqesin në konferencat për shtyp bien poshtë. Nëse do të ishin seriozë dhe do të qëndronin pas fjalës së dhënë, sot do t’i kishin nënshkruar marrëveshjet kolektive. Edhe pse kjo çështje prej kohësh nuk është më qesharake, por tragjike.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Kanë reaguar nga Qeveria, duke i hedhur poshtë pretendimet e LSM-së si të pavërteta. Qeveria nuk ikën nga dialogu, por insiston që ai të jetë serioz, thelbësor dhe i orientuar drejt arritjes së një marrëveshjeje konkrete, gjithëpërfshirëse dhe të pranueshme për të gjitha palët. Për këtë arsye, takimi është caktuar për të enjten, thonë nga ekzekutivi.
“Nuk e dimë se kë po priste Trendafilovi, duke u ulur në një sallë të zbrazët, por një gjë është kristal i qartë: dialogu social për ne është një politikë serioze dhe përgjegjëse shtetërore, jo një mjet për teatër politik apo paradë përpara kamerave. Opinioni duhet të dijë se takimi i kryeministrit Mickoski me përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve është caktuar dhe do të mbahet në ambientet e Qeverisë të enjten në orën 16:45.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.
Kryetari i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë, Mile Boshkov, tha se sektori privat nuk ka fuqi për të përballuar një rritje të madhe të pagës minimale dhe apelon për kujdes të shtuar me kërkesat për rritje.
“Dua të theksoj se tek të vetëpunësuarit, mikro dhe bizneset e vogla, si dhe tek sipërmarrësit dhe zejtarët është e domosdoshme të kemi mirëkuptim, sepse ata vërtet punojnë me vështirësi. Pjesëmarrja e tyre në ekonomi është e vogël, veçanërisht në qytetet e tjera. Kështu që, kur biem dakord për pagën minimale në nivel nacional, nuk duhet të harrojmë se në Maqedoni për shembull kemi rreth 20 mijë mekanikë automjetesh që kanë me nga një, dy ose tre të punësuar, pra është një sektor me të ardhura të ulëta. Shpresoj që kolegët e mi nga LSM-ja më kuptojnë dhe e dinë se për çfarë po flas.”, - theksoi kryetari i Konfederatës së Biznesit, Mile Boshkov.
Trendafilovi po ashtu tha se sindikatat janë kundër propozimit për shfuqizimin e disa dispozitave të Marrëveshjes Kolektive që kanë të bëjnë me përllogaritjen e pagës mesatare sipas koeficientit të kompleksitetit, njëjtë siç përllogaritet pagat e funksionarëve, sepse sipas tij, ky shfuqizim nënkupton heqje dorë nga pagat e punëtorëve. Kryeministri Hristijan Mickoski, ditë më parë tha se ekziston gatishmëri nga ana e Qeverisë për takim dhe negociata me sindikatat, si dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive për nëpunësit shtetërorë, por paraprakisht ai tha se procesit duhet t’i paraprijë edhe një dakordim për rishikimin e disa dispozitave të Marrëveshjes Kolektive, që kanë të bëjnë me përllogaritjen e pagave, të cilat, sipas tij, janë të paqarta dhe kërkojnë rinegocim deri në gjetjen e zgjidhjes më të favorshme.
REXHEP QAMILI
