Maqedoni
Seanca e parë e Këshillit për Hetime Financiare, kreu qeveritar premton drejtësi joselektive
02.02.2026 15:13
Kryesia e ekzekutivit, që në seancën konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë...

Kryesia e ekzekutivit, që në seancën konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, në mënyrë të paligjshme u zotua se me këtë trup s’do të ketë drejtësi selektive, të mbrojtur apo të paprekshëm. Me këtë angazhim popullit do t’i kthehet e vjedhura, tha i pari i Qeverisë.
“Kjo qeveri e ka filluar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Jo me deklarata. Për momentin në procedurë janë mbi 50 lëndë për korrupsion të lartë, raste të cilat me vite janë fshehur, janë shtyrë apo injoruar. Por, ky nuk është fundi, por fillimi. Presim hapje të rasteve të reja, hetime bazike dhe rezultate që kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mbështetja dhe partneriteti me BE-në dhe ShBA-në janë thelbësore në zbatimin e drejtësisë. Ky këshill synon që krimi mos të gjenerojë përfitim, tha zëvendëskryeministri i parë, Arben Fetai, njëherësh edhe kryesues i Këshillit për Hetim Financiar, duke shtuar se kjo është kërkesë e Brukselit, detyrim ligjor, moral dhe përcaktim normativ institucional.
“Nga ky moment nevojitet një ndërrim i paradigmës që konfiskimi i aseteve kriminale të shndërrohet në prioritet shtetëror. Suksesi nuk do të matet më me plane e procedura, por me numra, me çdo euro të krimit dhe korrupsionit që konfiskohet dhe rikthehet në buxhetin e shtetit.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Arben Fetai.
Me ligjin e ri për menaxhim doganor mundësohet qasje më e mirë në të dhënat relevante dhe ndjekje ndaj financave të ndërlidhura me krim, theksoi ministrja e Financave, Koçovska.
“Ministria e Financave ka ndërmarrë hapa aktive për përforcimin e kornizës ligjore, kështu që drejtpërdrejt e përkrah efikasitetin e hetimit financiar.”, - u shpreh ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska.
Mbështetja për shtet ligjor nuk do të mungojë as nga Bashkimi Evropian.
“Bashkimi Evropian do të jetë me ju në secilin hap, përmes përkrahjes për sundimin e ligjit. Sigurojmë edhe përkrahje eksperte në hetimet financiare, konfiskim të pronësisë. Kjo është vetëm një pjesë e përkrahjes sonë, por ajo që është me rëndësi për arritjen e rezultateve është angazhimi dhe përkushtimi juaj.”, - theksoi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Strategjia për periudhën 2025-2028 definon tri prioritete: identifikimin e pasurisë të paligjshme, konfiskimin dhe së fundmi ridestinimin e saj për qëllime sociale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
