Maqedoni
Takim ministror në Bruksel për transportuesit
03.02.2026 09:09
Një takim ministror i Komisionit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbahet sot në Bruksel....

Pas protestave të ashpra në pikat kufitare dhe bllokadave që shkaktuan humbje milionëshe, sot në Bruksel po mbahet një takim ministror i Komisionit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të kërkohet zgjidhje për problemin e qëndrimit të shoferëve profesionistë nga rajoni në zonën Shengen.
Gjatë javës së kaluar, transportues nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi bllokuan komunikacionin transportues në pikat kufitare, duke kërkuar “rregullore të drejtë dhe praktike” për punën e tyre. Komisioni Evropian njoftoi se do t’i pranojë kërkesat kyçe, pas çka bllokadat u hoqën.
Brukseli njoftoi se shoferët e kamionëve do të marrin status profesional, që do t’u mundësojë të qëndrojnë më gjatë se kufizimi aktual prej 90 ditësh brenda periudhës 180-ditore.
