Botë
Ukraina dakordohet për armëpushim, Rusia vijon sulmin mbi Ukrainën
03.02.2026 10:44
Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë që çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje...

Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë që çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi nga Rusia të përballet me një përgjigje të koordinuar ushtarake nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi sot gazeta Financial Times.
Financial Times raporton gjithashtu se të dërguarit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni pritet të takohen të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës. Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të pasohej brenda 24 orëve nga një reagim fillestar diplomatik. Nëse shkelja vazhdon, parashikohet ndërhyrja e ushtrisë ukrainase për të ndaluar veprimet armiqësore.
Në rast se armiqësitë përshkallëzohen, plani parashikon një fazë të dytë, ku do të përfshihen forcat e të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”, që përfshin disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë. Në ndërkohë Ukraina është përballur me një valë të re sulmesh intensive ruse gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, me raketa dhe dronë që goditën disa qytete kryesore, përfshirë Kievin dhe Harkivin. Autoritetet ukrainase po vlerësojnë dëmet dhe numrin e të lënduarve, ndërsa situata e sigurisë mbetet e tensionuar në disa rajone të vendit.
