Botë
Klintonët pajtohen të dëshmojnë për Epsteinin
03.02.2026 12:12
Në ShBA ka presion për llogaridhënie për fenomenin Epestein....

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, dhe bashkëshortja e tij, Hillari Klinton, ish-sekretare e Shtetit, kanë pranuar të dëshmojnë në një hetim të Kongresit mbi financierin e ndjerë amerikan, Xhefri Epstein, i akuzuar për abuzim seksual të vajzave të mitura.
Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Klinton, njihej me Epsteinin, i cili vdiq në burg më 2019, por ka mohuar të ketë qenë në dijeni të abuzimit seksual të tij dhe thotë se i ka ndërprerë kontaktet me të para dy dekadash. Është e paqartë kur do të jepet dëshmia, por do të jetë e para herë që një ish-president del para një paneli hetues të Kongresit që kur Gerald Fordi e bëri këtë më 1983. Të dy Klintonët thonë se më herët kishin dhënë deklarata nën betim dhe se kanë ofruar informatat që kishin për Epsteinin. Çifti e ka cilësuar thirrjen si “asgjë më shumë se një dredhi për t’i turpëruar rivalët politikë, siç ka udhëzuar presidenti Tramp”.
Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Klinton, nuk është akuzuar kurrë për ndonjë shkelje nga të mbijetuarit e abuzimit të Epsteinit dhe ka mohuar çfarëdo lidhje me veprat e tij. Megjithatë, ai u shfaq në disa dosje të Epsteinit, që u publikuan nga autoritetet amerikane. Epsteini, një milioner i njohur për lidhjet e tij me figura të shumta me ndikim dhe të famshme, u vetëvra në burg në vitin 2019 teksa priste padinë federale për trafikim qeniesh njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual.
