Maqedoni
Studentët shqiptarë: Provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe
03.02.2026 13:50
Studentë shqiptarë kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe...

Studentë shqiptarë, përmes nënshkrimeve të një peticioni të përbashkët, kërkojnë që provimi i jurisprudencës për ta, të mbahet në gjuhën shqipe, e jo në gjuhën maqedonase, siç është aktualisht. Kryetari i studentëve në fakultetin juridik, Mevlan Ademi, thotë se kërkesa e studentëve duhet të shërbejë si katalizatorë që edhe gjykatat e vendit të fillojnë me përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe implementimin e ligjit.
“Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” - arsyeja është se në të tre universitetet ligjëratat e fakultetit juridik janë në gjuhën shqipe edhe terminologjinë juridike ata e mësojnë në gjuhën shqipe. Tani katër vite studim t’i kalosh ti me gjithë këto peripeci në gjuhën shqipe dhe në fund t’i nënshtrohesh provimit më esencial të karrierës tënde për t’u profesionalizuar si jurist në gjuhën maqedonase dhe terminologji juridike maqedonase është shumë e vështirë. Kjo sjell një frikë nga ana e studentëve që mendojnë se nuk do ta kalojnë dhe kanë plotësisht të drejtë, se është dy herë më e vështirë në krahasim me studentët maqedonas.”, - deklaroi studenti, Mevlan Ademi.
Peticioni u është dorëzuar institucioneve, ndërkaq Ademi thotë se deri më tani nuk ka ende përgjigje zyrtare.
“Iniciativa nisi para tre viteve, e jo sot. Para tre viteve është marrë kjo nismë nga dekanati i fakultetit tim në UEJL, ku aty ata dërguan një kërkesë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por nuk morën përgjigje, pastaj aso kohe pas disa muajve unë u zgjodha kryetar i fakultetit juridik dhe pas një viti kryetar i parlamentit studentor dhe normalisht që kjo ishte një pikë e thellë në mesin e studentëve që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, se ishte një stres i panevojshëm që ne do ta kemi në të ardhmen.”, - theksoi studenti, Mevlan Ademi.
Ademi thekson se edhe pas dy viteve që merret me këtë iniciativë mungon vullneti te institucionet kompetente për t’i dhënë zgjidhje kësaj kërkese.
VLORA LATIFI TOPOJANI
