Botë
Në prag të negociatave në Abu Dhabi, sulme intensive ruse në Ukrainë
03.02.2026 14:08
Rusia ka vazhduar me sulme masive ajrore në mbarë Ukrainën...

Rusia ka vazhduar me sulme masive ajrore në mbarë Ukrainën, duke goditur Kievin me raketa dhe dronë dhe duke i dhënë fund armëpushimit të shkurtër dhe të përkohshëm të arritur me ShBA-në. Janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe një kopsht fëmijësh, ka të plagosur, ndërsa shumë banorë kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje në temperatura deri në –20°C. Sulme janë regjistruar edhe në Dnipro, Harkiv dhe Sumi. Shefi i diplomacisë ukrainase akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka shfrytëzuar të ftohtin ekstrem për të goditur sistemin energjetik.
“As përpjekjet diplomatike të pritura në Abu Dhabi këtë javë, as premtimet e tij ndaj ShBA-së nuk e ndaluan atë të vazhdojë terrorin ndaj njerëzve të zakonshëm në dimrin më të ashpër. Ne përballemi me terroristë që duhet të detyrohen të ndalojnë dhunën. Bota i ka mjetet. Rrisni presionin ndaj Moskës.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sibiga.
Sulmet ndodhën menjëherë përpara vazhdimit të bisedimeve për paqe që pritet të mbahen në Abu Dhabi mes Ukrainës, Rusisë dhe ShBA-së. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski shprehu një optimizëm të moderuar se është e mundur një paqe e qëndrueshme dhe dinjitoze, duke theksuar rolin kyç të Uashingtonit. Ai bëri të ditur se me ShBA-në është përgatitur një dokument për garancitë e sigurisë pas luftës dhe se është duke u punuar në përpilimin e planeve për rindërtim ekonomik.
“Kjo tregon se kur në Amerikë ekziston motivimi për ta ndryshuar situatën, ajo mund të ndryshohet. Delegacioni ynë është tashmë në rrugë, do të mbahen takime jo vetëm në format trepalëshe, por edhe dypalëshe me Amerikën. Është e rëndësishme që në këtë moment Amerika e mbështet vendosmërisht dialogun dhe punon me palën ruse për sulmet, në mënyrë që ato të mos e dëmtojnë atë që mund të arrihet.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Presidenti amerikan Donald Tramp, për herë të parë shprehu besim se mund të ketë lajme të mira lidhur me zgjidhjen e çështjes ukrainase.
“Kemi shumë punë. Kemi zgjidhur tetë luftëra dhe mendoj se po ecim shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Për herë të parë, mendoj se ndoshta do të kemi disa lajme të mira.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Donald Tramp.
Në negociata mbeten ende të pazgjidhura çështjet territoriale. Nga Kremlini shprehen se procesi është i ndërlikuar, duke e refuzuar kategorikisht mundësinë e dislokimit të trupave të BE-së ose NATO-s në territorin ukrainas si pjesë e garancive të sigurisë për Kievin.
“Ky është një proces shumë kompleks dhe shumëdimensional. Jemi afruar në disa çështje për shkak të diskutimeve dhe bisedimeve. Për disa tema është më e lehtë të gjendet një bazë e përbashkët, por ka çështje për të cilat ende nuk i kemi afruar qëndrimet. Është një proces shumë i ndërlikuar.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Ndërkohë, sot ka hyrë në fuqi rregullorja për ndërprerjen graduale të importit të gazit rus në Bashkimin Evropian, konfirmoi Komisioni Evropian, ndërsa Hungaria ka paraqitur padi në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së për anulimin e saj.
FARIJE DAUTI BAKIU
