Rajon

Policia e Kosovës njofton shtetasit e saj: RMV nis monitorimin e trafikut me kamera

03.02.2026 14:14

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët e saj se në Maqedoninë e Veriut ka filluar monitorimin e komunikacionit rrugor me kamera inteligjente

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët e saj se në Maqedoninë e Veriut ka filluar monitorimin e komunikacionit rrugor me kamera inteligjente, prandaj duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në vendin fqinj. Policia e Kosovës sqaron se ky monitorim bëhet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e dispozitave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin përkatës. Në njoftim thuhet se për automjetet me targa të huaja, përfshi edhe ato nga Kosova, nëse kryen shkelje të konstatuar nga sistemi, parashihet njoftim gjatë hyrjes dhe daljes nga shteti i Maqedonisë së Veriut. 
 
“Ky sistem në fazën e parë, sipas njoftimit, do të zbatohet në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, si dhe përgjatë korridorit 8 dhe korridorit 10, ku do të evidentohen shkeljet si: tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, ndalim dhe parkim i parregullt si dhe qarkullim me automjet të paregjistruar. Për automjetet me targa të huaja ku bën pjesë edhe Kosova, nëse shtetasi i huaj kryen shkelje të konstatuar nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, parashihet njoftim gjatë hyrjes dhe daljes nga shteti i Maqedonisë së Veriut.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës drejtuar shtetasve kosovarë, duke shtuar se të drejtën për pagesën e pesëdhjetë për qind të gjobës brenda afatit prej tetë ditësh e gëzojnë edhe qytetarët e huaj, ndërsa në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimit të pagesës, iniciohet procedurë kundërvajtëse për të huaj para gjykatës kompetente.
 
GYLTENE SINANI