Ekonomi
Durmishi: Do ta çrrënjosim ekonominë gri
03.02.2026 14:29
Institucionet shtetërore janë të vendosur që në mënyrë sistematike ta çrrënjosin ekonominë gri....

Institucionet shtetërore janë të vendosur që në mënyrë sistematike ta çrrënjosin ekonominë gri. Kështu u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, me rastin e prezantimit të Ligjit për angazhimin e personave në punë sezonale, ku njëherësh u prezantua edhe aplikacioni përmes të cilit do të bëhet lajmërimi dhe ç’lajmërimi elektronik i tyre. Sipas Durmishit, përmes këtij ligji pritet të formalizohen rreth 17.400 persona, prej të cilëve rreth 12.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të tjerë të palajmëruar në sektorët e turizmit, hotelerisë dhe shërbimeve të tjera. Ligji tashmë u mundëson të papunëve, studentëve, nxënësve, pensionistëve, si dhe përfituesve të ndihmës sociale, angazhim sezonal pa humbur të drejtat e tyre tashmë të përfituara në bazë të këtyre kategorive.
“Është mundësuar angazhim i të punësuarve, të papunëve, të studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara. Në fazën e parë, ligji përfshin veprimtaritë ku ekonomia gri është më e theksuar, me ç’rast pritet formalizimi i rreth 17.400 personave, kryesisht në bujqësi, turizëm, hoteleri dhe veprimtari shërbyese për ushqim dhe veprimtaritë në amvisëri. Reforma sjell përfitime konkrete si për punëtorët ashtu edhe për punëdhënësit, procedura të thjeshtësuara, fleksibilitet më të madh, pagesë sipas orës dhe sigurisë sociale. Me këtë ligj dërgojmë mesazh të qartë se shteti mbështet sistematikisht ekonominë formale dhe krijon klimë të qëndrueshme dhe të drejtë afariste.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të ligjit mbështetje japin: Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar “GIZ”, Agjencia për Punësim, Ministria e Financave dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, të cilat së bashku kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi funksional dhe efikas. Ky ligj, sipas ambasadores së Gjermanisë, Petra Dreksler, jo vetëm që do të ndikojë në formalizimin e fuqisë punëtore, por njëkohësisht do të përmirësojë edhe klimën e përgjithshme të biznesit në vend, pasi me këto risi janë thjeshtësuar dhe digjitalizuar shërbimet administrative për punëdhënësit dhe punëtorët.
“Procedurat e thjeshtuara elektronike për punëtorët sezonalë do ta përmirësojnë klimën e biznesit në vend, do t’i ulin procedurat administrative për punëdhënësit dhe në këtë mënyrë do të shmanget ekonomia gri. Kjo reformë ka përfitime të shumta, punëtorët përfitojnë mbrojtje juridike dhe sociale, ndërsa punëdhënësit fitojnë procedura të thjeshtuara.”, - theksoi ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Petra Dreksler.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës paralajmërojnë se do të fillojnë një fushatë për promovimin e këtij ligji nën moton “Angazhim korrekt”.
REXHEP QAMILI
