Maqedoni

VLEN: Me Fetain nis goditja ndaj pasurisë së paligjshme

03.02.2026 14:45

BDI – Çair: Mungesa e parkingjeve ka paralizuar jetën...

Koalicioni VLEN paralajmëron se vendi po hyn në një fazë të re të llogaridhënies reale ndaj pasurisë së paligjshme me konstituimin e Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë. Sipas VLEN-it. ky është sinjal i qartë se shteti po e zhvendos betejën me korrupsionin te pasuria e pajustifikuar dhe te rrënjët e kapjes së sistemit.
 
“Fakti që në krye të këtij mekanizmi të rëndësishëm qëndron zëvendëskryeministri Arben Fetai, po krijohet një vijë ndarëse mes politikës së kompromisit me korrupsionin dhe politikës së integritetit e transparencës. VLEN-i beson se qytetarët nuk kërkojnë spektakël, por drejtësi. Nuk kërkojnë deklarata, por rezultate. Prandaj, mbështesim çdo hap që e bën korrupsionin të dënueshëm dhe pasurinë e paligjshme të konfiskueshme.”, thuhet në komunikatën për media të Koalicionit VLEN.
 
BDI – Çair: Mungesa e parkingjeve ka paralizuar jetën
 
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim sot kanë dalë me vërejtjet e tyre, sa i takon komunës së Çairit. Ankohen për mungesë të parkingjeve, ndërtime pa leje dhe rrugë të bllokuara nga stërngarkimi me vetura.
 
“Qytetarët humbin orë të tëra për të gjetur një vend parkimi, rrugët janë të pakalueshme, ndërsa shërbimet emergjente shpesh nuk kanë qasje elementare. Kjo gjendje nuk ka ardhur rastësisht. Ajo është pasojë direkte e faktit se të gjitha projektet e premtuara për parkingje rezultuan mashtrime publike – u përdorën për fushata dhe propagandë, por nuk u realizuan kurrë në terren.”, u shpreh Imrane Veliu Aliu nga BDI.
 
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka premtuar rregullimin e hapësirave publike të parkimit, si dhe projekte të infrastrukturës rrugore që do të ulnin mbingarkesën. Zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov” do të zgjerohet me një marrëveshje ndërkomunale me qytetin e Shkupit, që do të kapë vlerën rreth 2.5 milionë euro apo 150 milionë denarë.
 
Në marrëveshjen për bashkëpunim ndërkomunal, e cila pritet të miratohet në seancën e nesërme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, thuhet: Qyteti i Shkupit, në realizimin e këtij bashkëpunimi, do të marrë pjesë me mjete në vlerë prej 150.000.000 denarësh, me TVSh të përfshirë, të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit. Parashihet që 5.000.000 denarë të sigurohen nga buxheti i këtij viti, 55 milionë denarë në vitin 2027 dhe 90 milionë denarë në vitin 2028.
 
Qyteti do të marrë pjesë edhe në zgjidhjen e çështjeve pronësore-juridike. Komuna e Çairit, në realizimin e këtij bashkëpunimi, do të marrë pjesë me hartimin e një Projekti Urbanistik të rishikuar për infrastrukturë, me projekt ideor dhe bazë të trafikut. Rruga “Cvetan Dimov” aktualisht ka nga dy korsi në të dy drejtimet, por në të ka vazhdimisht bllokime të trafikut, pasi njëra korsi shpesh bllokohet nga automjetet e parkuara.
 
MERAL ISMAILI