Maqedoni
Debat mbi gjyqësorin, folësit: Të nevojshme reformat dhe digjitalizimi
03.02.2026 15:01
Gjyqësori i pavarur është një ndër kushtet kryesore për demokratizimin e brendshëm të vendit...

Gjyqësori i pavarur është një ndër kushtet kryesore për demokratizimin e brendshëm të vendit dhe njëherësh avancimin në rrugëtimin evropian, tha euroambasadori Mihalis Rokas. Ai përkujton raportin e progresit për vendin nga tetori i vitit të kaluar, ku u theksua ngecje në këtë fushë, përzierje politike, autonomi financiare e limituar, dobësi në menaxhim dhe kufizime të resurseve njerëzore. Drejtësia është e plotë nëse është e pavarur dhe e zbatueshme në kohë, shtoi Rokas.
“Gjyqësori i pavarur dhe gjyqësori efikas janë të pandashme. Pavarësia pa efikasitet dështon qytetarët. Efikasiteti pa pavarësi minon drejtësinë. Për BE-në, të dyja janë shtyllat e sundimit të ligjit, kushte të domosdoshme për Maqedoninë e Veriut drejt BE-së. Gjyqësor i pavarur do të thotë se gjykatësit dhe prokurorët mund t’i gjykojnë rastet pa ndikime politike ose mospërzierje e fuqive nga fushat tjera. Një gjyqësor efikas do të thotë se drejtësia zbatohet në kohë të parashikuar dhe në mënyrë profesionale. Qytetarëve u duhen të dyja dhe të dyja i presin.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
Për kreun e supremes, Afrim Fidani, ndikimet janë të mundshme, por nëse gjykatësi i përmbahet ligjit, nuk e zmbraps asgjë nga puna profesionale dhe etike.
“Integriteti i gjykatësit është më e rëndësishme dhe gjithsesi gjykatësi si pjesë e sistemit gjyqësor duhet vetë ta mbrojë pavarësinë individuale dhe mosndikimin. Ndikimi ndaj gjykatësit është i mundshëm, por nëse gjykatësi kapet pas ligjit dhe etikës, atëherë nuk ekziston mënyrë për ndikim ndaj tij.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani.
Edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kambovski, është i bindur se efikasiteti dhe pavarësia janë dy kushte që ngritin profesionalisht jurisprudencën. Kërkon shtim të mjeteve për këtë degë pushteti.
“Gjyqësor që është i dobët në kuadër, me organizim të ngarkuar apo me financa të kufizuara, vështirë të jetë njëmendtë i pavarur. Ndërkaq, gjyqësori që s’ka standarde të qarta, vështirë të jetë efikas... Nëse duam të kemi rezultate duhet të kemi shtigje të qarta të digjitalizimit.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Reformat nuk janë të lehta dhe kërkojnë angazhim të pandërprerë, tha ministri i Drejtësisë, Fillkov. Shton se masat e parashtruara patjetër të shqyrtohen dhe implementohen, nëse duam që rezultatet të jenë të dukshme dhe përmbajtësore.
“Reformat patjetër të përfshijnë plotësimin e vendeve të punës, modernizimin e infrastrukturës, përforcimin e integritetit institucional dhe rritjen e besimit në opinion, përmes transparencës dhe standardeve të larta etike.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Këto komente u thanë në konferencën për përforcimin e efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
