Maqedoni
Trendafilov: Egoja e një zyrtari nuk la Qeverinë t’i rrisë pagat
03.02.2026 15:20
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov...

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, ka akuzuar se egoja e një përfaqësuesi të Qeverisë ka bërë që punëtorët të mos marrin pagën më të lartë.
Sipas tij, vitin e kaluar, punëdhënësit ishin të përgatitur të rrisnin pagat e punëtorëve me të paktën 6.000 denarë, nëse Qeveria do të hiqte dorë përkohësisht nga kontributet, por individë në Qeveri besonin se kjo nuk duhej lejuar.
"Nëse nuk do të kishin qenë kokëfortë vitin e kaluar, duke lehtësuar presionin mbi punëdhënësit në lidhje me kontributet, sot punëtorët do të kishin pasur një rritje prej 6.000 denarësh në pagat e tyre, dhe pas skadimit të periudhës për të cilën punëdhënësit kërkojnë lehtësim, tani do të kishin filluar të paguanin kontribute për rritjen e pagave. Në këtë mënyrë, mbi 10 milionë euro do të kishin rrjedhur në buxhet në baza mujore dhe mbi 120 milionë euro në vit.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Durmishi: Në mars do të ketë rritje prej 7 deri në 8%
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, theksoi se do të ketë nivel të pagës minimale dhe kjo do sjellë një rritje të pagës minimale për 7 apo 8 për qind.
“Sa i përket rritjes së pagës minimale në muajin mars do të kenë nivelin, ku do të kemi rritje prej 7 apo 8 për qind dhe nëse i marrim nga viti paraprak, këtë vit dhe dy vitet që do të vijnë, do të kemi rritje të pagës minimale prej 40 për qind. Çdo propozim që është për të vendosur ad-hok rritjen e pagës minimale është e dëmshme, dhe duke mos u bazuar parametrat ekonomik do të sjellë dëme dhe pasoja të cilët do t’i vuajnë të gjithë qytetarët dhe punëtorët, që nuk është në interes të tyre.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
VMRO-DPMNE: Qëndrimet e Trendafilovit me prapavijë politike
Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, ka kritikuar kreun e LSM-së se qëndrimet e tij kanë prapavijë politike.
“Kërkesat e Trendafilovit kanë një prapavijë politike dhe prapa udhëheqjes së tij me LSM-në qëndrojnë E Majta dhe LSDM-ja. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një teatër i zakonshëm i destinuar për publikun, në të cilin viktima është Sllobodan Trendafilov dhe fajtore është Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Trendafilovit kurrë nuk i interesonte rritja e pagave, por dëmtimi i qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ndjekja e politikave identike me ato të udhëhequra nga LSDM-ja dhe E Majta. Kjo hipokrizi e Trendafilovit dhe LSM-së tregon se ata po bashkëpunojnë me LSDM-në dhe partinë E Majta kundër Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE.”, - u shpreh Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Qeveria të mendojë për punëtorët
Ndërsa nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë propozojnë që Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE të ndryshojë prioritetet e saja dhe të mendojë për punëtorët.
“Si mundet Mickoski, i cili ka ora dorë me vlerë 65.000 euro, të planifikojë të blejë një aeroplan për udhëtimet e tij turistike dhe të mos ketë para për pagat e punëtorëve të tij? Si mund të ndodhë që, ndërsa punëtorët mezi ia dalin mbanë, ndërsa paga minimale nuk mbulon as shpenzimet themelore të jetesës, Qeveria shpenzon pa turp miliona euro për tenderë kriminalë? Nëse Qeveria heq dorë nga tenderët kriminalë, do të ketë para për një pagë minimale prej 600 eurosh. Të dhënat janë të pamëshirshme: kostoja e jetesës po rritet vazhdimisht dhe paga minimale po stagnon. Dy paga minimale nuk janë të mjaftueshme për një buxhet mesatar familjar.”, - thonë nga LSDM.
Sipas LSDM-së, Qeveria me vetëdije vendos të mos bëjë asgjë për punëtorët.
FITIM KRYEZIU
