Maqedoni

Shqipëri, përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend

03.02.2026 16:09

Pas bojkotit dymujor, opozita ka vendosur t’i rikthehet punës në komisionin...

Pas bojkotit dymujor, opozita ka vendosur t’i rikthehet punës në komisionin për reformën territoriale. Megjithatë, mazhoranca nuk duket ende e bindur, nëse Opozita do të marrë realisht pjesë, duke bërë që të krijohen debate në Parlament.
 
“Ju çfarë thoni në darkë, nuk e thoni në mëngjes. Zonja dhe zotërinj të PD-së, aq sa keni mbetur këtu. Angazhoheni të vini në komision?  Do të  presim deri në darkë që t’ju vijnë mend e mbrëmjes dhe shpresojmë vendosim deri atëherë.”. - deklaroi kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
 
“E kam me kolegët e opozitës. Si mund të ulesh me Ramën, kur ai kërcënon? Kam numrat dhe nuk pyes për ty dhe tani i lutemi Ramës na prit në komision.”, - u shpreh deputeti i Partisë Mundësia, Eduard Kapri. 
 
Mazhoranca ka paralajmëruar se nëse opozita mungon sërish, atëherë PS-ja do të marrë shumicën në komisionin për reformën territoriale, si dhe do t’i heqë bashkëdrejtimin Partisë Demokratike.
 
Tensionet në seancë nisën menjëherë, sapo në foltore u shfaq Sali Berisha.
 
“Lubia ju urren ju dhe prapë e mbroni. Ju që i mbroni jeni e keqja banale. Rama do t’ju marrë me vete.”,  - tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
 
“Laj gojën kur i drejtohesh krahut këtej. Je i akuzuar për korrupsion e pastrim parash. Je non grata nga ShBA-ja për korrupsion. Jozefinë, mos u bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, se në vitin 2021 kemi bashkëpunuar bashkë kundër Saliut.”, - theksoi kreu i grupit PS, Taulant Balla. 
 
Kjo përplasje ndërpreu seancën për disa minuta, ndërsa më herët kalendari për seancat e ardhshme gjatë shkurtit u miratua vetëm me votat e mazhorancës. 
 
LULJETA NDOKA