Ekonomi
LSM dorëzon iniciativë në Kuvend, kërkohet ulja e pagave të funksionarëve
04.02.2026 14:23
LSM-ja ia dorëzoi të gjitha grupeve parlamentare iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagat....

LSM-ja ia dorëzoi të gjitha grupeve parlamentare iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagat dhe kompensimet e deputetëve në Kuvendin e RMV-së, me qëllim uljen e pagave të funksionarëve, duke kërkuar që ky proces të nisë menjëherë dhe pa vonesë.
“Iniciativa është dorëzuar në drejtim të asaj që, ashtu si punëtorët edhe funksionarët, përderisa ata i bindin qytetarët se mirë po jetohet me pagën aktuale minimale që edhe funksionarët të përfitojnë trajtim të njëjtë, duke reflektuar realitetin e jetës me pagë minimale, që shpesh u prezantohet si e mjaftueshme. Konkretisht ne kërkojmë ndryshimin e nenit 11 të ligjit, ku deri tani baza për llogaritjen e pagave të funksionarëve ishte paga mesatare, tani të zëvendësohet me pagën minimale. Njëherësh kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimeve të pagave të reduktohet për 40%, që në total do të çojë në një ulje prej 80% të pagave të funksionarëve, sepse ata në mënyrë të papërgjegjshme nuk i rrisin pagat e punëtorëve, dhe madje mbajnë iniciativën e LSM-së në sirtar, ku paga minimale sot tek ne është jo vetëm më e ulëta në rajon, por edhe në të gjithë Evropën.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
“Na thonë se me pagën aktuale minimale mund të jetohet mirë dhe se nuk duhet të kërkojmë më shumë, ose, nëse kërkojmë, ata të na japin vetëm një rritje të vogël, minimale ku duhet të heqim dorë nga ajo që parashikohet në Marrëveshjen Kolektive për punonjësit e sektorit publik, e cila saktë parashikon se punonjësit duhet të marrin po aq sa funksionarët, pra paga mesatare me koeficient. E tani nëse mund të ketë për disa, mund të ketë edhe për të tjerët. Nëse buxheti mund të mbajë mbi supe 1.080 funksionarë me paga mbi 2.000 euro, atëherë mund të mbajë edhe punonjësit e sektorit publik, të cilët marrin paga prej 25.000 denarë.”, - theksoi kryetari i SPAOGjShQ-së, Tërpe Deanovski.
Mickoski: Të negociojmë marrëveshje të re
Qeveria ka formulën e saj për përllogaritjen e pagave të punonjësve në administratë, e cila parashikon rritje graduale, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, modeli më i përshtatshëm është ai i unifikuar, sipas të cilit do të përcaktohen të ardhurat personale, derisa të arrihet një marrëveshje e përbashkët për ndryshimin e disa dispozitave të Marrëveshjes Kolektive, e cila sipas tij, këto dispozita janë nënshkruar me qeverinë e kaluar dhe kanë skaduar, dhe tani më duhet të zëvendësohen në Marrëveshjen Kolektive.
“Një nga tre nenet ku përcaktohen pagat në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive duhet të pezullohet dhe gjatë periudhës së vlefshmërisë së kësaj marrëveshjeje që do ta arrijmë, të negociojmë një Marrëveshje të re Kolektive. Kjo periudhë është afërsisht tre vjet. Unë besoj se brenda tre viteve, nëse përqendrohemi në diskutime dhe debate, mund të arrihet shumë më tepër sesa me një version të ri të marrëveshjes. Ne jemi mjaft të pjekur dhe të përgjegjshëm dhe mendoj se kjo është kohë e mjaftueshme.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ditën e enjte, përfaqësuesit e sindikatave të punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave qytetare, së bashku me kryeministrin dhe ministrat përkatëse, do të takohen për të negociuar rritjen e pagave në administratë. LSM-ja kërkon rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro dhe rritje lineare të të gjitha pagave tjera prej 100 eurosve, ndërsa Qeveria propozon një model të rritjes graduale. Formula e propozuar e Qeverisë, sipas tyre, parashikon një rritje kumulative prej rreth 40% deri në vitin 2028, me nivelime vjetore prej 7 deri në 8%. Sindikalistët vlerësojnë se një projeksion afatgjatë i tillë nuk i përmbush nevojat reale të punonjësve.
REXHEP QAMILI
