Maqedoni

Dosjet “Epstein”, Prokuroria Publike hapi lëndë

04.02.2026 14:34

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka hapur lëndë për shkak të pretendimeve nga dokumentet e publikuara në rastin Xhefri Epstein...

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka hapur lëndë për shkak të pretendimeve nga dokumentet e publikuara në rastin Xhefri Epstein, se mostrat e trurit të individëve të vdekur nga vendi dyshohet se janë transportuar për qëllime kërkimore shkencore në Shtetet e Bashkuara, thuhet në komunikatën e Prokurorisë shtetërore.
 
“Duke marrë parasysh natyrën e pretendimeve, të cilat përfshijnë përpunimin, ngrirjen dhe transportin ndërkombëtar të indeve njerëzore, si dhe çështjet e mundshme në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ligjore dhe etike për eksperimentet me indet dhe mostrat njerëzore, Prokuroria Publike formoi lëndë, me qëllim, shqyrtimin e të gjitha indikacioneve të ekzistencës së mundshme të elementeve të një vepre penale që ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare.”.
 
Ministria e Shëndetësisë formoi grup pune
 
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka formuar një grup pune, i cili do të merret me publikimet në fjalë. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se grupi do të merret me çështjen deri aty ku i lejohen kompetencat. Shton se nuk duhet të shpejtohet me informacionet e llojit “mundësi keqpërdorimi” kur bëhet fjalë për materiale biologjike, sidomos nga një udhëheqësi e departamentit të universitetit amerikan të njohur botërisht.
 
“Që të fillojë një projekt duhet të fillojë me memorandum të nënshkruar nga të dyja palët, që është pjesë e institucioneve që i ruajnë ato dokumente, ose universiteti, ose Akademia e Shkencave apo Instituti. Sidoqoftë, ne nuk jemi kompetentë i asnjërit prej këtyre institucioneve. Ne jemi kompetentë i dhënies së licencave, lejes, që të mund të importojë ose eksportojë material nga shteti dikush prej institucioneve tona, dhe ne jemi fokusuar në këtë pjesë. Nëse protokollet janë sipas ligjit të vjetër, sepse bëhet fjalë për para 30 viteve kur ka pasur ligj tjetër.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Mickoski: Çështjen ia lëmë hetuesisë
 
Kryeministri Mickoski pret që këtë publikim ta hetojë Prokuroria. Për momentin nuk ka reagim qeveritar.
 
“Nuk do të komentoja derisa nuk pranojmë diçka më konkrete. Kjo është çështje që ka ndodhur para disa dekadave, sipas këtyre dokumenteve që i kemi parë, kështu që t’ia lëmë Prokurorisë dhe hetuesia të japë përgjigje për shumë pyetje. Në moment kur të kemi për të ndarë diçka me opinionin, do ta bëjmë.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Reagimi institucional vjen pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, si pjesë e hetimit për Xhefri Epstein, ku pretendohet eksportimi i trurit të kufomave edhe nga Maqedonia e Veriut.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU