Maqedoni
154-vjetori i lindjes së Goce Dellçevit, marrëdhëniet Maqedoni - Bullgari të brishta
04.02.2026 14:39
Marrëdhëniet maqedono-bullgare mbeten të brishta....

Marrëdhëniet maqedono-bullgare mbeten të brishta. Komisioni dypalësh i historisë midis historianëve të Maqedonisë dhe Bullgarisë vijon të jetë i bllokuar duke mbajtur të pazgjidhur midis tjerash përkatësinë kombëtare të figurës së revolucionarit historik Goce Dellçev. Në këtë komision mungon dakordimi për ta pranuar si të përbashkët, tanimë kur shteti shënon ditëlindjen e tij të 154-të. Mungonte përfshirja e Sofjes zyrtare sikurse në Manastir, po ashtu edhe në Shkup, ku Dellçevi nisi dhe përmbylli rrugëtimin e jetës së tij. Sofja nuk është deklaruar për ditëlindjen e Dellçevit, pasi një vit më parë refuzoi të marrë pjesë në ceremoni të përbashkët në mungesë të ftesës zyrtare nga pala maqedonase.
Mickoski: Vepra e tij, shembull për ndërtimin e shtetit
Kryeministri theksoi rëndësinë e vizionit të Dellçevit në ndërtimin e shtetit.
“Beteja e tij për Maqedoninë e pavarur, për shtet në zemër të Ballkanit, unë do të thoja se është epike. Për fat të keq, shumë herët e ka humbur jetën e tij, në moshën 31-vjeçare. Ai ka pasur edhe shumë për të thënë nëse do të mbijetonte. Por, e ka dhënë jetën e tij për idealet për Maqedoninë. Ta kujtojmë figurën dhe veprën e tij dhe kjo të jetë shembull se si më tutje të ndërtojmë shtetin tonë të përbashkët.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ka vijuar edhe mesazhi i kryesocialdemokratit Venko Filipçe.
“Në kohën kur shteti sërish po përballet me sfida serioze, të mos lejojmë që interesat kombëtare të bëhen peng i politikës ditore, por të vazhdojmë amanetin e Dellçevit për të ndërtuar shtet të fuqishëm.”, thotë në porosinë e tij kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Megjithatë figura historike, e cila po përplas historitë e dy shteteve, së bashku me gjuhën maqedonase vazhdon të përdoret si armë politike mes dy vendeve, e që për pasojë ka ngecjen e Maqedonisë së Veriut në procesin integrues.
MERAL ISMAILI
