Maqedoni

Protestat kundër “Qytetit të Sigurt”, Mickoski kërkon reagim pas kërcënimeve

04.02.2026 14:57

Mickoski njoftoi se ka kërkuar nga policia reagim të ashpër ndaj çdo personi që ka shkelur ligjin...

Pas bllokadave të rrugës Manastir - Resnjë nga një grup qytetarësh, të cilët protestuan në shenjë revolte për shkak të rregullave të sistemit “Qyteti i Sigurt” dhe kërcënuan se nuk do të respektojnë rendin dhe qetësinë publike, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se ka kërkuar nga policia reagim të ashpër ndaj çdo personi që ka shkelur ligjin, ka kërcënuar ose ka rrezikuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve.
 
“Bisedova sot në mëngjes me ministrin e Punëve të Brendshme dhe ajo që kërkova prej tij është që ndaj secilit që ka shkelur ligjin, është kërcënuar, ka bërë kërcënime publike dhe ka rrezikuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve, të ketë reagim të ashpër. Dhe do të ketë reagim të ashpër, që të mos përsëritet ajo dhunë e djeshme.”, - deklaroi kryerministri, Hristijan Mickoski.
 
Protestuesit: Nuk kemi kushte për të marrë leje të vozitjes
 
Ndërkohë kanë vazhduar protestat e një pjese të komunitetit rom kundër sistemit “Qyteti i Sigurt”, pasi atyre u janë marrë veturat të cilat kanë qenë të paregjistruara dhe nuk kanë pasur leje të vozitjes. Ata u ankuan për diskriminim, duke thënë se shumë prej tyre nuk kanë përfunduar arsimin dhe për këtë arsye nuk kanë mundësi të marrin patent shoferi.
 
“Unë e kuptoj policinë, e kuptoj shtetin, të gjitha i kuptoj, por duhet të mendoj se çfarë bëri shteti për ne, a na dha të drejta apo na i mori të drejtat. Edhe ne duam të kemi jetë të qetë me juve dhe duam të jetojmë si njerëz. Na jepni ndonjë të drejtë që të mund t’i vozisim veturat, ai kush di të vozisë. Ai i cili pi alkool apo përdor drogë, atëherë kanë të drejtë jo t’i marrin veturat, por ta arrestojnë dhe burgosin.”, - tha një protestues. 
 
“Në shtetin tonë nuk ka drejtësi, rinia do që të ushqehet. Ata nuk kanë as shkollë, si ta marrin lejen e vozitjes, si t’i kalojnë testet, kur nuk kanë kushte?! Ushqehemi me para që shkrijmë hekurin apo që mbledhin kanaqe.”, - tha një protestuese.
 
MPB-ja njofton se në rrugët e kryeqytetit, vetëm gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet sistemit të kamerave “Qyteti i Sigurt” janë konstatuar gjithsej 650 shkelje, ku dominon tejkalimi i shpejtësisë me plot 590 raste.
 
“Përveç shpejtësisë, kamerat kanë kapur 36 shoferë që kanë kaluar në dritë të kuqe dhe 24 mjete të paregjistruara. Si masë ndëshkimore, policia ka shqiptuar edhe 61 ndalesa për drejtim të mjetit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave për të garantuar sigurinë në trafik.”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
ERSAN PAJAZITI