Maqedoni
Mesazh për kandidatët për kryeprokuror, Mickoski: T’i nxjerrin lëndët nga sirtarët
04.02.2026 15:08
Mickoski pret që prokurori i ri publik i shtetit të nisë me pastrimin e lëndëve dhe dokumenteve që për vite kanë qëndruar në sirtarë pa zgjidhje....

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që prokurori i ri publik i shtetit të nisë menjëherë me pastrimin e të gjitha lëndëve dhe dokumenteve që, siç tha ai, për vite me radhë kanë qëndruar në sirtarë pa zgjidhje.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski theksoi se hapi i parë i prokurorit të ri duhet të jetë një rishikim i thelluar i të gjitha rasteve të hapura dhe të mbyllura.
“Gjëja e parë që duhet ta bëjë është t’i nxjerrë të gjitha dokumentet dhe rastet që mbaheshin në sirtarë dhe t’i hetojë. Atje ku nuk ka vepër penale dhe prova, t’i mbyllë, ndërsa aty ku ka vepër penale dhe prova, të formojë lëndë dhe t’ia dorëzojë gjykatës.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Ai theksoi, se pas dorëzimit të lëndëve, i takon gjykatës të vendosë nëse do të fillojë apo jo procedurë gjyqësore, në përputhje me ligjet. Mickoski shprehu pritjen që prokurori i ri publik i shtetit cilido që të zgjidhet ta ushtrojë funksionin në mënyrë të pavarur dhe profesionale, me fokus të qartë në sundimin e ligjit.
“Pres që ai të jetë mbrojtës i ligjit, të jetë gjenerator i drejtësisë dhe i së drejtës. Kjo është ajo që pres nga prokurori i ri publik i shtetit.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Disa nga emrat e kandidatëve të cilët kanë konfirmuar vetë se janë paraqitur për prokuror publik të shtetit janë ushtruesja aktuale e detyrës së prokurores publike të shtetit, Anita Topolova Isajllovska; prokurorja Lence Ristovska; gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski; ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, si dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
ARMEND MURSELI
