Maqedoni

Dita botërore e kancerit, rëndësi, parandalimi dhe trajtimi

04.02.2026 15:22

Sipas të dhënave, çdo vit rreth 200 gra preken nga kanceri, ndërsa 40 deri në 60 humbin jetën...

Sipas të dhënave, çdo vit rreth 200 gra preken nga kanceri, ndërsa 40 deri në 60 humbin jetën, kryesisht për shkak të mungesës së skriningut efektiv. Vetëm rreth 10 për qind e grave në Maqedoninë e Veriut janë përfshirë në skriningun për kancer të qafës së mitrës gjatë vitit 2024, megjithëse kjo sëmundje është pothuajse plotësisht e parandaluar, thuhet në analizën e realizuar nga organizatat “Hera”, “ESE”, “Së bashku më të fortë” dhe Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shuto Orizarja. Mjeku Ilir Ismaili thekson se viteve të fundit është rritur numri i të prekurve me kancer.
 
“Statistikat e fundit janë nga Instituti i Epidemiologjisë që ka bërë një punë shumë të madhe që deri në vitin 2022 t’i kemi statistikat e fundit që është një hap tepër i madh për shtetin dhe normalisht për mjekësinë në përgjithësi. Në vitin 2022 në Maqedoni kemi pasur rreth 7.500 raste të reja të diagnostikuara me kancer, është numër tepër i madh. Tek gjinia femërore ka dominuar kanceri i gjirit, pastaj qafës së mitrës, pulmoneve, lukthit, etj. Sa i përket gjinisë mashkullore, dominon kanceri i lukthit, pulmoneve, lëkurës, prostatës, etj.”, - deklaroi mjeku, Ilir Ismaili. 
 
Organizatat theksojnë se buxheti për programet parandaluese ka stagnuar prej vitesh dhe se për skriningun e sëmundjeve malinje ndahen vetëm 23 milionë denarë në vit, shumë e pamjaftueshme për mbulim real. Ata u bëjnë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të rrisin urgjentisht fondet për skriningun e kancerit të qafës së mitrës, të përmirësojnë qasjen në shërbime gjinekologjike dhe të forcojnë vaksinimin kundër HPV-së, duke theksuar se parandalimi nuk është shpenzim, por investim që shpëton jetë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI