Rajon
“World Governments Summit”, Osmani prezantoi vizionin e Kosovës për ekonominë
04.02.2026 15:47
Osmani ka prezantuar vizionin e Kosovës për ekonominë e gjeneratës së ardhshme në “World Governments Summit”..

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar vizionin e Kosovës për ekonominë e gjeneratës së ardhshme në “World Governments Summit” në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke theksuar se Kosova është e gatshme për bashkëpunim, inovacion dhe rritje të qëndrueshme globale. Duke rikujtuar të kaluarën e Kosovës, Osmani theksoi se vetëm 26 vjet më parë vendi doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të jashtëzakonshme, infrastrukturë të shkatërruar dhe ekonomi të rindërtuar nga zero. Sipas saj, Kosova është shndërruar brenda një brezi në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon, duke shtuar se ky rrugëtim nuk matet vetëm me shifra, por me dinjitet dhe qëndrueshmëri njerëzore.
“Ne nuk rindërtuam vetëm shtëpitë tona, rindërtuam edhe shpirtin tonë me një qëndrueshmëri të palëkundur. Rritja e gjeneratës së ardhshme në Kosovë mbështetet në tre shtylla: njerëz të fuqizuar, institucione të forta dhe një sektor privat dinamik, duke vënë theks të veçantë te rinia, si avantazh strategjik i vendit me popullsinë më të re në Evropë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani theksoi gjithashtu përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, duke nënvizuar se ky përkushtim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit dhe sigurisë. Sipas “Gallup International”, Kosova është vendi më i sigurt në të gjithë kontinentin evropian, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se besimi është themeli i çdo ekonomie konkurruese.
GYLTENE SINANI
