Maqedoni

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale: 2 mijë fëmijë, pushim veror pa pagesë

03.06.2015 12:54

2 mijë fëmijë prej familjeve të rrezikusara sociale edhe këtë vit do të mund të shfrytëzojnë pushim veror pa pagesë...

Prej sot të interesuarit mund të dorëzojnë aplikimet tek qendrat për punë sociale.
 
Afati i fundit për aplikim është deri më datën 17 të këtij muaji.
 
“Këtë vit planifikojmë të përfshijmë 2 mijë fëmijë prej familjeve të rrezikuara sociale për pushim veror pa pagesë në Strugë, në periudhë prej 7 ditësh, gjegjësisht 6 pansione të plota. Për realizimin e këtij projekti, për këtë verë janë siguruar 8 milion denarë”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
Shërbimin mund ta shfrytëzojnë fëmijët nga familjet e rrezikuara sociale, fëmijët nga familjet që marrin asistencë sociale, fëmijët pa kujdes prindëror dhe fëmijët me aftësi të kufizuara nga klasa e pestë deri në të nëntën, theksoi Spasov. 
 
Sipas tij, me aktivitete të tilla do të vazhdohet edhe në të ardhmen, duke i përkrahur materialisht familjet në nevojë, me qëllim që edhe ata të kenë një jetë më të mirë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI