Botë
Humbën jetën nga rrjedhja e gazit në banesën e tyre në Itali, zbardhen emrat e familjes shqiptare
05.02.2026 11:17
Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Lucca, Itali...

Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me tragjedinë që ndodhi në Lucca, Itali, ku katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën si pasojë e një rrjedhjeje të gazit.
Viktimat janë: Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23 vjeç, dhe Xhesika, 15 vjeçe. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u lëndua dhe po merr trajtim në spital.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, më 4 shkurt 2026, ndërsa dyshohet se shkak ishte një defekt në kaldajën e banesës trekatëshe të tyre.
Sipas autoriteteve, gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.
Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.
Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
