Maqedoni
Bulevardi “Cvetan Dimov” në Çair, Gjorgjievski: Këtë vit vendosim gurthemelin
05.02.2026 14:09
Gjorgjievski bëri të ditur se brenda këtij viti planifikohet vendosja e gurthemelit për bulevardin “Cvetan Dimov”...

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se brenda këtij viti planifikohet vendosja e gurthemelit për bulevardin “Cvetan Dimov”. Sipas tij, projekti do të zbatohet përmes bashkëpunimit ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, duke përfshirë pjesën nga kryqëzimi me “Nikolla Karevin” deri te kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi”.
“Detyrimet për ta bërë projektin do të jenë të komunës së Çairit, këtë e bëmë mbrëmë me vendimin e Këshillit, vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal, ndërsa ne do ta financojmë, gjithashtu do ta bëjmë shpronësimin për të gjithë projektin. Nuk do të jetë projekt. Asnjëherë nuk do të jap premtim që nuk do ta mbaj, nuk do të jetë projekt që do ta mbarojmë për disa muaj, atje na presin aktivitete serioze, fillimisht në lidhje me shpronësimin, pastrimin e aksit dhe gjithçka që nënkupton realizim.”, - deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
VLEN: Nga premtimi në realizim
Edhe nga Koalicioni VLEN e komentuan këtë projekt, respektivisht miratimin që mori në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
“Ky vendim hap rrugën për zgjidhjen e një prej nyjeve më të vështira të komunikacionit në Shkup, ku çdo ditë mijëra qytetarë përballen me kolona e ngarkesa. Projekti parashihet të realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, në segmentin nga kryqëzimi me “Nikolla Karevin” deri te kryqëzimi me “Xhon Kenedin”, me vlerë 150 milionë denarë dhe afat realizimi 2026–2028. Ky projekt i votuar është një flakaresh për ata që ende nuk po mund të dalin nga fushata zgjedhore, edhe pse para katër muajsh Izet Mexhiti i shkuli me votë nga Shkupi me rrethinë.”, thonë nga Koalicioni VLEN.
Ky projekt ka afat realizimi nga viti 2026-2028 me vlerë prej 150 milionë denarësh.
VLORA LATIFI TOPOJANI
