Maqedoni

Me dëgjimin e dëshmitarëve vazhdoi gjykimi për zjarrin tragjik në Koçan

05.02.2026 14:41

Gjykimi për zjarrin në Koçan ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike...

Gjykimi për zjarrin në Koçan ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike, e cila synon të vërtetojë përgjegjësinë e pronarit të diskotekës “Puls” për kushtet nën standarde, si dhe lëshimet e sigurimit të agjencisë “Rubikon” në menaxhimin e turmës dhe tejkalimin e kapacitetit të lokalit. Dëshmitari i parë ishte zjarrfikësi i Koçanit, Blagojço Paunov, i cili deklaroi se thirrjen e ka pranuar në orën 02:35 dhe se në vendngjarje ka mbërritur brenda pesë minutash.
 
"Kur mbërritëm, kishte shumë trupa përpara diskotekës. Por, kishte edhe shumë njerëz të bllokuar te dera e përparme. Njerëzit ishin të ngatërruar, e patëm të vështirë t'i nxirrnim. I kërkuam policisë të dërgonte njerëz për të ndihmuar. Në ekipe të përziera, filluam të nxirrnim fëmijët. Disa prej tyre ishin në gjendje shoku, kështu që i mbanim në krahë. Mbërriti një ekip ambulance. Ata po i çonin fëmijët në spital, çfarëdo që mund të merrnin. Ata thanë se kishte njerëz të bllokuar në zyrën e biletave. Unë hyra atje, gjeta mbi 10 fëmijë që nuk po tregonin shenja jete. Thirra për ndihmë.", - dëshmoi zjarrfikësi në Departamentin e Zjarrfikësve të Koçanit, Blagojço Paunov. 
 
Pas deklaratës së dëshmitarit, në sallë u dëgjuan të qara. Ndërkohë, avokati i njërit prej të akuzuarve, Elenko Millanov, kërkoi që disa nga të akuzuarit të përjashtohen nga procedura.
 
“Pjesës më të madhe të këtyre personave të cilët gjenden këtu, procedura ndaj tyre duhet të ndërpritet, për arsye se personat të cilët nuk kanë qenë prezentë atë natë dhe nuk janë në detyrë me obligime konkrete, tek të cilët mund të konstatohet ndonjë lëshim. Nga ana tjetër kemi dëshmitarë të cilët kanë konfirmuar se mjetet piroteknike janë sjellë dhe janë vendosur nga grupi muzikor. Prandaj, shumë persona në këtë procedurë nuk duhet të qëndrojnë.”, - theksoi avokati Elenko Millanov.
 
Ndërsa prindërit e fëmijëve, të cilët humbën jetën në fatkeqësinë e Koçanit, kanë apeluar që të hetohen bisedat telefonike të pronarit të diskotekës dhe se nuk do të lejojnë që e drejta të mbetet e fshehur. 
 
“U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që t’i kontrollojnë informacionet e tilla dhe detajisht t’i kontrollojnë telefonat dhe komunikimet që janë bërë përmes këtyre telefonave. Ka ndodhur një gjenocid i popullatës së re, për shkak lakmisë, korrupsionit dhe moskryerjes së detyrave të punës në mënyrë të jashtëligjshme.”, - u shpreh një prind.
 
Në këtë seancë, dëshmi dha edhe Dragan Apostolovi, një zjarrfikës-komandant i të njëjtit departament zjarrfikësish në Koçan. Sipas tij, pamja ishte e tmerrshme, ku kishte parë tre trupa plotësisht të djegur. 
 
FITIM KRYEZIU