Maqedoni
Provimi i jurisprudencës, BDI: Provimi vetëm në maqedonisht
05.02.2026 14:53
BDI vlerëson si të drejtë kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jetë edhe në gjuhën shqipe....

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson si të drejtë kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jetë edhe në gjuhën shqipe. Sipas tyre, vendimi i Ministrisë së Drejtësisë që provimi të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase duke refuzuar peticionin e studentëve shqiptarë përbën një hap mbrapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve.
“Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë.”, thonë nga BDI.
Kasami: Nuk bëjmë zhurmë, garantojmë zgjidhjen
Bilall Kasami nga koalicioni VLEN është shprehur se do të gjejnë zgjidhje që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe dhe bisedimet po zhvillohen në Qeveri.
“Ne jemi në bisedime në kuadër të Qeverisë, që edhe këtë çështje si shumë çështje të tjera t’i zgjidhim. Po ashtu, edhe këtu nuk është që ne bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion, por ajo që mund të garantojmë është se kjo çështje do të zgjidhet në interes të studentëve. Përderisa i gjithë procesi edukativo-arsimor shkon në gjuhën shqipe deri në universitet, sigurisht që edhe këto provime profesionale duhet të ketë mundësi që të bëhen krahas gjuhës maqedonase edhe në gjuhën shqipe.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut në UT, UEJL dhe UNT, përmes një peticioni kanë kërkuar nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën ata i kryejnë studimet. Peticioni është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, kryeparlamentarit dhe zëvendëskryeministrit të parë.
MERAL ISMAILI
