"Qyteti i Sigurt” në Tetovë, semaforë të rinj dhe rregullim i kryqëzimeve
05.02.2026 16:08
"Qyteti i Sigurt” ka vendosur rend e rregull...

"Qyteti i Sigurt” ka vendosur rend e rregull në dy rrugët ku janë të vendosura në Tetovë. Por, mungesa e një semafori për kthim në të majtë apo në të djathtë tek shkolla e mesme medicinale i penalizon shumë vozitës.
Vozitësit futen në të gjelbër, por mungesa e kohës për t’u larguar nga udhëkryqi bënë që të njëjtët t’i regjistrojë si shkelës të rregullave dhe kalim në të kuqen.
I pari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se do t’i ndërrojë të gjithë semaforët e këtij udhëkryqi.
"Veç më kemi zgjedhur firmën që do ta bëj instalimin e semaforëve të rinj dhe heqjen e këtyre aktual, pra të gjitha kryqëzimet do të kenë semafor të ri modern dhe sigurisht që do të rregullohet edhe problematika që është paraqitur në afërsi të shkollës së mjekësisë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Deri në vendosjen e semaforëve të rinj dhe zgjidhjes së këtij problemi, qytetarët që marrin dënime në këtë udhëkryq, duhet të paraqiten te zyra e “Qytetit të Sigurt” në SPB-Tetovë.
Komandanti i SPB-Tetovë, Muhamed Ademi, tha se në Tetovë ka dy kamera të “Qyteti i Sigurt”, ndërsa kamerat tjera janë për siguri dhe rend publik, tha Ademi.
“Qytetarët të cilët momentalisht ngelin në udhëkryq, por kanë hyrë në të gjelbër, të njëjtëve nuk iu shqiptohen dënime, por nëse ndodh eventualisht t`iu shqiptohen dënime, duhet të drejtohen tek SPB-Tetovë për ta shqyrtuar rastin. Ka dy vende ku janë vendosur kamerat e “Qytetit të Sigurt” në Tetovë, njëra është tek rruga VS Bato, afër Ekologut, dhe tjetra tek medicina. Pjesët tjera të kamerave janë për rendin dhe sigurinë publike.”, - u shpreh komandanti i SPB-Tetovë, Muhamed Ademi.
Nga ana tjetër, kreu i Tetovës, Bilall Kasami, tha se të gjitha shenjat e komunikacionit në territorin e komunës së Tetovës duhet të jenë në dy gjuhë, duke theksuar se do të ketë komunikim me drejtuesit e rrugëve të Maqedonisë. (Visar Sadiku, TVM2)
