Raundi i ri i paqes në Abu Dhabi, ShBA, Ukraina dhe Rusia në bisedime

05.02.2026 17:56

Në një përpjekje për të çuar përpara procesin diplomatik...

Në një përpjekje për të çuar përpara procesin diplomatik drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, në Abu Dhabi vazhdon raundi i ri i bisedimeve të paqes mes ShBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.

Ndërsa Uashingtoni vlerëson se është shënuar përparim, palët pranojnë se çështjet kyçe dhe më të ndërlikuara mbeten ende pa zgjidhje.

“Nëse e shikoni listën e çështjeve të hapura nga një vit më parë dhe sot, ajo listë është ndjeshëm më e shkurtër. Ky është lajm i mirë. Lajmi i keq është se çështjet që kanë mbetur janë më të vështirat. Megjithatë, bëjmë gjithçka që mundemi për të parë nëse mund të arrihet një përparim. Shpeshherë gjithçka duket plotësisht e pashpresë derisa të arrihet një përparim që ndonjëherë është i paparashikueshëm.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.

Sipas negociatorit rus Kiril Dmitriev, në bisedimet e zhvilluara me Ukrainën në Abu Dhabi është shënuar “përparim” drejt gjetjes së një zgjidhjeje për t’i dhënë fund konfliktit, por shprehu shqetësim për rolin e disa vendeve evropiane, të cilat, sipas tij, ndikojnë negativisht në ecurinë e procesit të paqes.

“E dini, këtu mund të ketë një tregues se luftënxitësit nga Evropa dhe Britania po përpiqen vazhdimisht të ndërhyjnë në këtë proces, duke u përpjekur të futen në të. Dhe sa më shumë përpjekje të tilla ka, aq më shumë vështirësohet. Padyshim ka edhe përparim dhe se ka një lëvizje të mirë pozitive përpara.”, - deklaroi negociatori rus në Abu Dhabi, Kiril Dmitriev.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se bisedimet duhet të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të parandalojnë Rusinë që të vazhdojë luftën. Ai shtoi se Ukraina pret një shkëmbim të ri të të burgosurve pas fillimit të bisedimeve.

“Në këtë moment, populli i Ukrainës duhet të ndiejë se situata realisht shkon drejt paqes dhe përfundimit të luftës, e jo drejt një situate ku Rusia i shfrytëzon të gjitha në favor të saj dhe vazhdon me sulmet.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Megjithatë, pavarësisht zhvillimit të negociatave në tryezën diplomatike, luftimet në terren vazhdojnë. Shpërthime u dëgjuan sërish në Kiev, ndërsa dhjetëra mijëra banorë në Zaporizhia kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj sistemit energjetik. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)