Botë

Emigrantët ilegalë në Bangladesh, qindra mijëra njerëz mes xhunglës, pa asnjë status

03.06.2015 14:27

Në thellësi të xhunglave të Bangladeshit, atje ku strehohen refugjatët Rohinga, ka filluar frika se fshatrat me shtëpi prej balte mund të shkatërrohen nga autoritetet vendase...

Janë rreth 33 mijë gra, fëmijë e burra në kampet pranë kufirit me Mianmarin për të cilët përkujdeset OKB dhe qeveria e Bangladeshit.
 
Por, në kampet e tjera të jashtëligjshme ka nga 200 deri në 400 mijë Rohinga,  të cilët qeveria nuk i njeh si refugjatë të përkohshëm dhe kërkon t’i dëbojë.
 
Autoritetet thonë se ata janë banorë të Mianmarit dhe Bangladeshi nuk është në gjendje t’i mbajë.
 
Prania e tillë e një numri të madh të të huajve pa identitet dhe asnjë punë ka shkaktuar probleme për komunitetin lokal.
 
Madje, nëse Bangladeshi vendos t’i pranojë, kjo mund të inkurajojë 1.1 milion myslimanë të tjerë Yangon të vijnë këtu dhe kjo është problem i madh për vendin me popullsi 160 milionë banorë.
 
Vetë refugjatët shprehen të shqetësuar me shpërnguljen. 
 
"Unë kam mësuar nga banorët  lokal që do na zhvendosin në një vend tjetër, në Noakhali. Nëse ka paqe, atëherë unë do të shkoj, por më kanë thënë që nuk është vend i qetë. Ne jemi të lumtur këtu në këtë kamp"- deklaroi refugjati Rihonga, Nur Alam.
 
"Ne mësuam se do të na dërgojnë në Noakhali. Ne i njohim njerëzit këtu, janë njerëzit tanë. Atje nuk e dimë çfarë na pret, kemi frikë mos na torturojnë”- tha refugjatja Rihonga, Rupban Alam. 
 
Fëmijët e tyre jetojnë me racionet e ushqimit që ndajnë agjencitë e ndihmave. Momentalisht ata jetojnë me ndonjë punë në fushat përreth për 3.5 dollarë në ditë, ose me lëmoshat gjatë festave fetare.
 
Ata shpresojnë tani të gjendet një zgjidhje e përhershme për problemin e tyre, ose të riatdhesohen, ose dikush t’i regjistrojë si refugjatë. Kjo do të thotë mundësi shkollimi për fëmijët dhe një jetë më e mirë brenda ndonjë kampi.
 
LEUNORA KALIQI